Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Josep Borrell, tha sot se “fitorja” e luftës në Ukrainë do të vendoset në dy javët e ardhshme dhe u bëri thirrje 27 vendeve anëtare të vazhdojnë furnizimin me armë për Kyiv, shkruajnë mediat e huaja.
“Dy javët e ardhshme do të vendosin se në cilën anë do të bjerë fitorja. Dhe ne duhet të vazhdojmë të ndihmojmë, duke furnizuar me armë”, tha Borrell në hyrje të një mbledhjeje të Këshillit Europian kushtuar Ukrainës, në të cilin, përveç liderëve të unionit, ishte i ftuar edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Koordinatori i politikës së jashtme të Komunitetit siguroi se forcat ruse po vuajnë “një dështim të madh ushtarak” në Ukrainë.
“Rusët provuan një pushtim të shpejtë dhe tani po masakrojnë njerëz. Nga pikëpamja ushtarake, është një dështim i madh për Rusinë. Një muaj luftime dhe ata nuk kanë mundur të lëvizin më shumë se 200 kilometra nga bazat e tyre logjistike”, tha ai.