Lajme

“Lulëzojnë” punësimet mbi baza partiake në Komunën e Prishtinës

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
1:29 / 1 November 2022

Raporti: Egzona Shala/Kanal10

Partitë politike po vazhdojnë të “rehatojnë” edhe më tej familjarë e aktivistë të tyre në pozita të ndryshme në ndërmarrje publike. Vetëm në muajin e fundit në Komunën e Prishtinës, në tri ndërmarrje publike janë emëruar persona të afërt me subjektin e LDK-së. Derisa edhe në komuna të tjera po vazhdon e njëjta praktik. Këtë dukuri e kanë kritikuar njohës të politikës dhe opozita, ku këta të fundit e kanë quajtur si kapje të ndërmarrjeve të rëndësishmeshkruan Kanal10.

Ende pa u bërë një vit nga zgjedhjet lokale, premtimi i të parit të komunës Përparim Rama se në mandatin e tij nuk do të ketë emërime të njerëzve në baza partiake, nuk po del ashtu.

Në tri ndërmarrje publike të Prishtinës  vetëm në muajt e fundit janë emëruar tre persona që kanë qenë në struktura të LDK-së.

Fisnik Osmanit në “Termokos”, Sokol Havolli në “Prishtina Parking” dhe emërimi i fundit Bardh Krasniqit në “Sport Marketing”.

Këto emërime të njerëzve partiak në ndërmarrje publike po i kritikon opozita.

Triera Kasumi nga lista Guxo ka thënë se problemi kryesor është menagjimi i ndërmarrjeve direkt nga subjekti, e kjo sipas saj, i bie që edhe bordi i tyre do të jetë partiak.

E nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se procesi i përzgjedhjes është në përputhje me dispozitat ligjore.

“Në lidhje me adresimet që keni bërë në raport me ndryshimet e fundit në Ndërmarrjet Publike në Prishtinë, fillimisht ju sqarojmë se nuk ka emërime në këto pozita, por procesi i përzgjedhjes së Kryeshefëve të Ndërmarrjeve Publike është proces i cili i nënshtrohet konkurseve publike bazuar në dispozitat ligjore në fuqi. Prandaj, ju sigurojmë se e gjithë procedura që nga publikimi i konkursit, pastaj caktimi i komisioneve për intervistim dhe të gjitha procedurat e rekrutimit janë bërë sipas dispozitave ligjore në fuqi dhe duke përfshirë në këtë proces që nga fillimi edhe përfaqësuesit e Ambasadës Britaneze në cilësinë e monitoruesve”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Praktike e ngjashme është zhvilluar edhe në qytete të tjera të Kosovës.

Në qytetin e dytë më të madh në vend atë të Prizrenit, 10 ditë më parë është  publikuar lista me pikët e kandidatëve për pozitën e kryeshefit të “Ekoregjionit”, ku i parë në list figuron emri i djalit të kryetarit aktual të Prizrenit, Adonis Totaj. (Pamje vendimit)

Kanal 10 ka provuar të marr një qëndrim nga kryetari Totaj, por ky i fundit nuk ka qenë i qasshëm.

Derisa nga opozita kanë thënë se në qytetin e Prizrenit është duke u bërë kapja e ndërmarrjeve publike.

E lidhur me punësimet mbi baza partiake, njohës të politikës kanë thënë se pavarësisht premtimeve, nuk është duke u zbutur kjo praktik në vend.

Artan Muhaxhiri thotë se punësimet mbi baza partiake ndikojnë në besimin e kandidatëve të cilët nuk janë patriarkal.

Kanal10 ka raportuar se edhe në Komunën e Kamenicës, më 15 shtator të këtij viti nga konkursi për Specialist të Ekonomisë,  me më shumë pikë i priu listës kandidati Labinot Dërmaku, person i afërt i partisë.