Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës pas takimit me Albin Kurti tha se kanë mbetur më pak se 9 ditë për zgjidhje.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se sot në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka zhvilluar një takim ndërpartiak LDK–LVV me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht kryeministrin e vendit, Albin Kurti, lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe stabilitetin institucional.
Abdixhiku theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit po zhvillohet brenda një afati të kufizuar kohor dhe se kanë mbetur më pak se nëntë ditë për të arritur një zgjidhje. Sipas tij, kjo situatë kërkon përgjegjësi të lartë politike, qartësi, maturi dhe vullnet për kompromis, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik për paqëndrueshmëri institucionale.
Ai nënvizoi se Presidenca duhet të mbetet institucion që garanton ndarjen e pushteteve dhe shërben si faktor uniteti për vendin, e jo si vazhdim i shumicës qeverisëse.
Në përputhje me deklaratën politike të miratuar në Kuvendin e LDK-së, Abdixhiku tha se ekzistojnë dy rrugë të qëndrueshme: një konsensus i gjerë parlamentar rreth një emri të përbashkët për President, ose një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare.
Sipas tij, në të dyja rastet kërkohet mbështetja e së paku dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. “Nëse asnjëra nga këto rrugë nuk realizohet, vendit i vijnë zgjedhjet, një skenar i panevojshëm në këtë kohë”, ka theksuar ai.
Abdixhiku shtoi se LDK do të veprojë me përgjegjësi shtetërore, transparencë të plotë dhe vullnet për gjetjen e një zgjidhjeje, duke pasur si prioritet ruajtjen e stabilitetit institucional dhe interesin e Republikës së Kosovës.