NGA: FATON MEHMETI
Deklarata e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, se partia e tij mund të braktisë institucionet për të dalë në protesta nëse nuk respektohet Kushtetuta, ngjall shumë pikëpyetje mbi seriozitetin dhe qëndrueshmërinë politike të tij. Ky diskurs i rikujton opinionit publik sjelljen e Lulzim Bashës në Shqipëri, i cili në një moment vendimtar braktisi institucionet, dogji mandatet, u hodh në rrugë me protesta, por në fund u detyrua të kthehej i përulur e i humbur. Rezultati: opozitë e dobësuar, mungesë besueshmërie dhe humbje elektorale.
Rreziku që Abdixhiku të përsërisë të njëjtin skenar është real. LDK-ja, si një parti tradicionale që ka mbajtur gjithmonë flamurin e shtetndërtimit institucional, rrezikon ta minojë trashëgiminë e vet nëse ndjek rrugën e populizmit opozitar.
Braktisja e institucioneve nuk është forcë, por shenjë dobësie; nuk është shpresë, por humbje. Kosova ka nevojë për opozitë aktive, kritike dhe me vizion brenda institucioneve, jo për spektakle politike në rrugë që përkohësisht ndezin emocione, por nuk sjellin zgjidhje.
Nëse Abdixhiku zgjedh këtë rrugë, ai rrezikon ta çojë LDK-në në të njëjtin fat me Bashën: një rikthim koke ulur, pa fitore, pa kredibilitet dhe me një bazë elektorale edhe më të zvogëluar. Prandaj, sfida e tij nuk është të imitojë modelet e dështuara, por të ndërtojë një opozitë dinjitoze, të përgjegjshme dhe që e mbron Kushtetutën duke qenë brenda institucioneve, jo jashtë tyre.