Deputeti i PDK-së thotë se bashkimi me krahun e Rrahmanit është më shumë se marrëveshje politike, duke e quajtur “bashkim vlerash dhe përgjegjësie”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka publikuar një fotografi me ish-deputetin Eman Rrahmani, pasi PDK ka nënshkruar koalicion me Lëvizjen për Familjen, krahun e udhëhequr nga Rrahmani.
Në një postim, Lushtaku tha se ky bashkim vjen natyrshëm, pasi dikur në Kuvend i kishte bashkuar një kauzë e përbashkët – mbrojtja e familjes – pavarësisht se i përkisnin partive të ndryshme.
“Me Eman Rrahmanin dhe Listën për Familjen hyjmë bashkë në garën e 28 dhjetorit. Dikur në Kuvend na bashkoi një kauzë e përbashkët, edhe pse ishim nga parti të ndryshme, mbrojtja e familjes,” shkroi Lushtaku.
Ai shtoi se ky koalicion përfaqëson më shumë se një marrëveshje politike.
“Sot, ky koalicion është më shumë se marrëveshje politike: është bashkim vlerash, përgjegjësie dhe dinjiteti. Çdo ditë na bashkohen njerëz me integritet moral e profesional. Kjo lëvizje po rritet. Dhe nuk ndalet,” përfundoi Lushtaku.