Lajme

Marrëveshja e Uashingtonit: Spektakël politik, dështim historik për Kosovën

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:24 / 8 September 2025

NGA: FATON MEHMETI
Marrëveshja e Uashingtonit e 5 shtatorit 2020, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, u paraqit si një moment i rëndësishëm dhe historik por shumë shpejt u dëshmua se ishte më tepër një spektakël politik sesa një marrëveshje e rëndësishme.

Në thelb, dokumenti nuk përfaqësonte një marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës e Serbisë, por dy zotime të ndara që secila palë i bënte ndaj SHBA-ve si grantuese. Kjo i dha Serbisë hapësirë të paraqitej si palë neutrale që nuk po e njihte Kosovën si shtet, ndërsa Kosova doli e nënshtruar në një proces ku humbi shumë më tepër sesa fitoi.

Pikat kryesore që u prezantuan të marrëveshjes nuk ishin në favor të Kosovës. Derisa njohja nga Izraeli ishte e vetmja arritje e prekshme për Kosovën.

Në anën tjetër moratoriumi njëvjeçar për mosaplikim të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për lobim të Serbisë kundër njohjeve, në praktikë doli në favor të Serbisë. Beogradi e përdori këtë kohë për të forcuar lidhjet diplomatike dhe për të minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Projektet ekonomike dhe investimet të përmendura në dokument, si rrugë, hekurudha apo bashkëpunime energjetike, nuk u realizuan kurrë. Asnjë fond amerikan nuk erdhi në shumën e premtuar. Kosova humbi kohë e kredibilitet ndërkombëtar duke hyrë në një proces që nuk solli njohje të tjera. Serbia e përdori marrëveshjen për të përmirësuar imazhin e saj në SHBA dhe për të paraqitur veten si faktor paqeje, pa bërë asnjë lëshim thelbësor ndaj Kosovës.

Në fund, marrëveshja e Uashingtonit mbeti më shumë një dokument propagandistik se diçka e favorshme për Kosovën.