Lajme

Marrëveshje dhjetëra milionëshe, masat që i hoqi BE-ja

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
9:29 / 16 December 2025

Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë pjesërisht disa nga masat e vendosura ndaj Republikës së Kosovës, duke i hapur rrugë investimeve milionëshe në projekte prioritare.

Vendimi është bërë i ditur përmes një letre të dërguar zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, nga Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm për Zgjerim në Bashkimin Evropian.

Në letër thuhet se Komisioni Evropian do të heqë disa masa që lidhen me programimin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare.

Koopman ka theksuar se heqja graduale e masave ka nisur në muajin maj, pas përpjekjeve për uljen e tensioneve në veri të vendit. Ai ka përshëndetur transferimin paqësor dhe të rregullt të pushtetit lokal pas zgjedhjeve, si dhe largimin e policisë nga objektet komunale.

Bazuar në këto zhvillime dhe në përputhje me Komunikimin e Komisionit për Zgjerimin 2025, Komisioni Evropian ka autorizuar heqjen e mëtejme të disa masave, duke ftuar Kosovën që sa më shpejt të dorëzojë propozimet për financimin IPA 2026–2027.

Sipas letrës, masat e hequra përfshijnë një paketë prioritare kontratash që mbulojnë katër projekte të mëdha. Është autorizuar lidhja e kontratës për impiantin e ngrohjes qendrore të Prishtinës në vlerë prej 17.6 milionë eurosh, në kuadër të një marrëveshjeje kontributi me Bankën Evropiane të Investimeve.

Po ashtu, 12 milionë euro janë ndarë për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura në Termocentralin Kosova B, përmes një marrëveshjeje me Zyrën e OKB-së për Shërbime të Projekteve.

Një tjetër marrëveshje në vlerë prej 3 milionë eurosh lidhet me skemën “Young Cell”, e cila përfshin grante direkte përmes Universitetit të Selanikut.

Ndërkohë, 2 milionë euro janë ndarë për mbështetjen e kompanisë për menaxhimin e deponive në Kosovë, në kuadër të një kontrate me Bankën Gjermane për Zhvillim.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, si reagim ndaj tensioneve në veri të vendit.