Lajme

Mbeti jashtë Kuvendt, Bekim Haxhiu ankohet në PZAP për votat me postë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:44 / 11 January 2026

Bekim Haxhiu i Partisë Demokratike të Kosovës është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me votat me kusht të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit. 

Haxhiu nuk ka arritur ta sigurojë një ulëse në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës. 

Ai në një postim në Facebook ka thënë se ka dorëzuar ankesë pasi është bërë shkelje serioze e integritetit të zgjedhjeve kur janë pranuar fletëvotimet me postë pas datës 29 dhjetor. Ai ka thënë se janë pranuar mbi 23 mijë vota me postë pas datës. 

“Sot kam dorëzuar ankesë zyrtare në PZAP për një shkelje serioze që rrezikon integritetin e zgjedhjeve. Ligji është i qartë. Fletëvotimet me postë pranohen vetëm deri më 29 dhjetor 2025, ora 16:00. Megjithatë, KQZ ka pranuar dhe numëruar mbi 23 mijë vota të ardhura pas këtij afati ligjor. Kjo nuk është çështje teknike. Është shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit. Asnjë vendim administrativ nuk mund të ndryshojë ligjin. Afatet zgjedhore nuk janë rekomandime, por garanci për barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit. Kur numërohen vota jashtë afatit, procesi rihapet në mënyrë arbitrare dhe rezultati deformohet. Kjo paligjshmëri ka prodhuar pasoja konkrete. Ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe në renditjen e kandidatëve. Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë dhe strikt të ligjit për të gjithë. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë. Pa ligj, nuk ka zgjedhje të ndershme”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. 

Haxhiu në zgjedhjet e 28 dhjetorit mori 21 mijë e 79 vota bazuar në rezultat preeliminare të publikuara nga KQZ-ja. Ai ishte i 20-i më i votuari në radhët e PDK-së por nuk siguroi vend në Kuvend shkaku i kuotës gjinore.