Lajme

Me poste të larta në PDK njëri nga zyrtarët e arrestuar për keqpërdorime milionëshe në ATK

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
7:21 / 10 January 2024

Tashmë Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për 12 zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe një pronari të biznesit, të cilët u arrestuan të martën në Prizren e Podujevë.

KosovaNews dje raportoi ekskluzivisht për arrestimet që kreu pas një aksioni të suksesshëm Policia e Krimeve Ekonomike.

Në mesin e të arrestuarave janë edhe dy drejtorë rajonal si dhe zyrtare tjerë e që rezultojnë të jenë të afërt me partitë që për disa vjet me radhë qeverisën vendin, por që pas zgjedhjeve të fundit nacionale populli i hodhi në opozitë.

Nga të arrestuarit është edhe zyrtari i ATK-së, Murteza Zeqiri, i cili ndër vite ka mbajtur pozita të larta në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe mandej gjatë qeverisjes së kësaj partie ishte punësuar në ATK.

Në bazë të gjetjeve të saj KosovaNews dje raportoi se Murteza Zeqiri ishte i afërt me PDK-në, ndërsa mësohet se  deri në vitin 2019 ka qenë i angazhuar në Partinë Demokratike të Kosovës, si administrator i zyrës së PDK-së në Mitrovicë, ndërsa Kallxo.com më 2019 ka raportuar se Zeqiri ka pasur edhe pozitën e Sekretarit të PDK-së në Mitrovicë.

Më një shpalosje në rrjetin social, shihet qartazi se Murteza Zeqiri ishte mjaft aktiv në mbledhjet e PDK-së në Mitrovicë dhe vende tjera. Ai shihet në tubimet e kësaj partie dhe në fotografi me ish- kreun e këtij subjekti politik, Kadri Veseli.

Si do qoftë, bazuar në prova e faktet e grumbulluara të hetimeve tani Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 13 personave të ndaluar, në gjykatën kompetente.

Të dyshuarit (12 zyrtarët e ATK-së dhe një afarist) janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”.

“Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’ dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria për arrestimin e tyre.