Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci beson që barrikadat në veri do të largohen së shpejti.
Ai tha në T7 se KFOR-i ka kërkuar kohë nga Qeveria e Kosovës për ta bërë një gjë të tillë, mirëpo sipas tij, nëse ata nuk i largojnë barrikadat në veri, atëherë këtë do ta bëjë Policia e Kosovës.
“Nuk mund ta jap datë, por besoj që shumë shpejt do të largohen, e nëse nuk largohen atëherë këtë e bën Policia e Kosovës”, ka deklaruar Bajqinovci.
Deputeti Bajqinovci ka thënë tutje se Serbia kurrë nuk ka qenë më e dobët në Veriun e Kosovës sesa tani.
“Serbia më kurrë nuk ka qenë më e dobët në Veriun e Kosovës, nuk po mbështeten nga populli serb në Kosovë e as nuk po dalin njerëzit në protesta në Serbi”, ka thënë ai, duke shtuar se më parë deri në 1 mijë njerëz kanë dalë në një barrikadë, ndërkaq tash nuk janë as 15.