Analisti politik, Faton Mehmeti, thotë se takimi i së enjtes ka qenë i pritur që do të dështojë.
Sipas tij, vetëm kur Serbia do të sanksionohet fort dhe të mos ketë asnjë rrugë tjetër, atëherë do të pranojë marrëveshje.
“Takimi që ndodhi dje ka qenë i pritur të dështojë, me faktin se Serbia vazhdon të mos ndëshkohet pavarësisht çdo gjë që bën. BE nuk është e aftë të ndëshkojë Serbinë, me ledhatimet e saja ndaj Serbisë e bën të pamundur arritjen e çdo marrëveshjeje. Vetëm kur Serbia të sanksionohet fort dhe mos ketë asnjë rrugë tjetër do të pranojë marrëveshje, ndryshe sabotimet do të vazhdojnë. Serbia ngjan me fëmijën e lazdruar e që tani i rritur nuk njeh asnjë normë as ligj, e vazhdon me kapriçot e saj. Vetë BE e ka ledhatuar, e Kosova dje e ka dhënë fjalën e saj, tani BE le të merret me Serbinë e lazdruar nga vet ata”, deklaron Mehmeti.
Bisedimet të enjten kanë qenë ta parat pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, sulm ky që sipas shumë analistëve ndërkombëtarë shënonte fundin e dialogut.
Ndërsa, takimet e djeshme sipas ish- diplomatit britanik, Timothy Less, kanë konfirmuar se dialogu Beograd-Prishtinë nuk po shkon askund.
“Për mendimin tim, nuk ka pasur mundësi që të ketë sukses, sepse është një marrëveshje e keqe nga perspektiva e Kosovës sepse kërkon autonominë e serbëve pa asnjë garanci se do të pasojë njohja nga Serbia ose se Kosova do të anëtarësohet në BE dhe NATO. Gjithçka po ndodh në një kontekst të ri gjeopolitik ku ne jemi dëshmitarë të prishjes së rendit ndërkombëtar ekzistues. Rusia duket se ka mbizotëruar në Ukrainë, lufta po shpërthen në Lindjen e Mesme dhe pozicioni i mëparshëm dominues i Perëndimit tani po shfaqet hapur, sfiduar nga fuqitë e reja revizioniste, jo vetëm Rusia, por edhe Kina, Turqia, Irani. Ditët kur ShBA-ja dhe BE-ja mund të impononin në mënyrë të njëanshme zgjidhjen për statusin e Kosovës, kanë kaluar”, ka deklaruar ai.