Ai tha se nëse opozita i siguron numrat për mocion do të ishte më e shëndetshme që vendi të shkojë në zgjedhje, por sipas tij, lufta do të jetë për vendin e dytë dhe jo për të parin.
“Unë nuk thash që do të jemi 51 për qind.
Mund të jemi 54 për qind, por edhe nëse do të jemi minus 10 për qind, prapë gara në Kosovë ka me qenë për vendin e dytë, unë po mendoj dhe qysh e shoh unë, të gjitha shtizat kanë me u thye për vendin e dytë”, deklaroi Konjufca.
Kjo deklaratë e kreut të Kuvendit nxiti reagime të mëdha, ku filluan edhe parashikimet se kush mund të përfundojë në “pozitë të dytë”.
Mehmeti: Kryetari i Kuvendit i ka sondazhet e brendshme dhe e di sigurt se fitojnë
Analisti politik, Faton Mehmeti në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se Konjufca i ka sondazhet e brendshme, prandaj është i bindur në fitore.
Sipas tij, kreu i Kuvendit po e bënë një lloj ‘lufte psikologjike’ me opozitën.
“Glauku i ka sondazhet e brendshme dhe e di sigurt se fitojnë, kjo i jep komoditet për të folur hapur dhe natyrisht është për të ngacmuar opozitën. Më tepër kjo është luftë psikologjike ndaj opozitës. Të gjendur në këtë situate, opozita s’ka vullnet të madh për të shkuar në zgjedhje, e di se s’mund të arrijnë të dalin të parët”, deklaroi ai.
Madje, analisti vlerëson se partitë opozitare duhet te reformohen, pasi në situatën ku janë, nuk mund ta sfidojnë qeverinë dhe as t’i fitojnë zgjedhjet.
“Kështu që, opozitës i mbetet për t’u reformuar dhe afruar njerëz afër vetës dhe me plan shumë serioz të forcohen. Ndryshe, çdo kalkulim do rezultojë i dështuar. Kjo opozitë ka nevojë për reforma, me pushtetin që mungesën e saj po e përdor për t’u tallur me të”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.