Lajme

Meholli: Qyteti i Afrim Bunjakut e Enver Zymerit nuk meriton kryetar që bashkëpunon me Listën Serbe

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:14 / 22 October 2025

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli, e ka akuzuar kryetarin aktual të kësaj komune, Ferit Idrizi, për bashkëpunim me Listën Serbe.

Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Meholli ka ka thënë se Lista Serbe nuk ka fare kandidat për këtë komunë dhe se të gjitha votat e serbëve për kryetar kanë shkuar për Idrizin.

Ai tutje ka thënë se marrëveshja e tij me Listën Serbe nuk është e fshehtë pasi ai po investon më shumë në Prelluzhë sesa në fshatrat e banuara me shqiptarë. 

“Nuk kemi fare kandidat të Listës Serbe për kryetar në ndërkohë që të gjitha votat për kryetar i kanë shkuar Ferit Idrizit. Mbi 500 vota të atyre serbëve janë për Ferit Idrizin. Idrizi ka marrëveshje të fshehtë, por tashmë nuk po e fsheh, ai thotë se jam kryetar i të gjithëve, përfshirë serbët dhe bashkëpunoj me ta. Po investon në Prelluzhë më shumë se në fshatrat e shqiptarëve, po asfalton edhe rrugë atje, sot e ka shtruar me zhavorr. Mund ta verifikoni këtë, është bërë edhe një pllakë që nderon serbët atje me mbishkrime nacionaliste serbe. Ferit Idrizi duhet ta shpjegojë atë. Së paku nëse ka pasur leje. Qyteti i Hasan Prishtinës, Afrim Bunjakut dhe Enver Zymerit, dy heronjve të sovranitetit, nuk meriton kryetar që bashkëpunon me Listën Serbe që është shkaktare e vrasjeve të këtyre dy policëve”, ka thënë ai. 

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli, ka thënë se Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilin ka arritur marrëveshje për koalicion, është politikan me përvojë që nuk ndërmerr hapa pa koordinim paraprak me strukturat e partisë. 

Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Meholli ka thënë se beson që gjatë ditëve në vijim kjo marrëveshje do të jetë e pranueshme. 

“Kemi negociuar edhe me z.Xhafer Tahiri, edhe me ekipet tona, por edhe me kryeministrin Kurti që e mbështet në plotni këtë marrëveshje. Xhafer Tahiri është një politikan me përvojë, me një background akademik të lartë, nuk mendoj se mund të bëjë marrëveshje pa një koordinim paraprak me strukturat e partisë, por ajo është çështje për të cilën unë nuk i jap të drejtë vetes të flas, ne kemi pasur komunikim shumë korrekt deri te marrëveshja dhe i qëndrojmë me besnikëri kësaj marrëveshjeje. Është i çuditshëm i gjithë ky reagim, por unë e kuptoj nga realiteti që jetoj në Vushtrri. Qytetarët e Vushtrrisë e dinë se ky është koalicion i fitores dhe i ndërrimit të pushtetit dhe unë e kuptoj që shumë njerëzve u prishen pazaret në komunën e Vushtrrisë, të cilët e kanë shfrytëzuar pushtetin për qëllime të veta. Nuk po them për njerëzit e LDK-së, por për pushtetin që rrethohet nga oligarkë, nga njerëz të krimit… Mendoj se në ditët në vazhdim do të pranohet më mirë si marrëveshje politike sepse nuk është marrëveshje kundër askujt. Është marrëveshje që e bën me pushtet edhe LDK-në, sepse kemi ndarje proporcionale aty sipas marrëveshje politike. Disa prej gjërave i kemi detajuar, disa të tjera vazhdojmë t’i detajojmë”, ka thënë ai. 
Meholli ka shtuar se deri më 9 nëntor do të ketë më shumë detaje rreth marrëveshjes.