Lajme

Memli Krasniqi kampion në “sponsorizime” në Facebook, shpenzoi mbi 6 mijë euro për pak muaj

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
3:42 / 21 April 2023

Që kur u bë kryetar i PDK-së, Memli Krasniqi, ka tentuar të zë një vend meritor në skenën politike të Kosovës. I kritikuar shpesh për mënyrën e të bërit opozitë, Krasniqi ka qenë shpesh në shënjestër të analistëve, por edhe të bashkëpartiakëve të tij. Por Krasniqi është kampion dhe krejtësisht i pakritikueshëm në aspektin e sponsorizimeve në Facebook. Sipas analizës së Nacionales, z. Krasniqi ka shpenzuar mbi 6 mijë euro për sponsorizim të postimeve të tij.

Gazeta Nacionale ka analizuar sponsorizimet që ka bërë Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në gjashtë muajt e fundit. Shumë postime të sponsorizuara është përfundimi që nxori Nacionale në analizën e profilit të Krasqniti në muajt gusht, shtator, tetor, nëntor dhjetor 2022 dhe janar 2023. Pothuajse të gjitha sponsorizimet e Krasniqit, sipas Facebook-ut, janë paguar nga PDK-ja, partia që udhëhiqet nga vetë Krasniqi.

Saktësisht për 6 muaj e pak javë, z. Krasniqi ka sponsorizuar 61 postime. Pra mesatarisht nga 10 postime në muaj. Dhjetori i vitit 2022 ishte viti më i “bereqetshëm” për Facebook-un, ngase Krasniqi sponsorizoi hiç më pak se 21 postime. Ndërsa në nëntor Krasniqi pagoi para për 14 statuse, në tetor ai i sponsorizoi 17 postime, 5 në shtator dhe vetëm 1 në korrik.

Dhe ende faqja e Krasniqi ka veç 52 mijë ndjekës, pak, shumë pak në krahasim me Albin Kurtin, lider i VV-së, që i ka 520 mijë ndjekës.

Edhe janarin e vitit 2023, z. Krasniqi e ka nisur me sponsorizime. Deri tani, pra kur kanë kaluar 13 ditë të vitit të ri, Krasniqi ka “futur” para në 3 postime.

Sipas analizës së Nacionales, Krasniqi për gjashtë muaj ka harxhuar minimalisht 6,900 euro për postimet e sponsorizuara. Pra përafërsisht 7 mijë euro. E gjithë kjo është lehtë e vërtetueshme, pasi Facebook në politikat për transparencë, tregon edhe shumën e shpenzuar dhe audiencën e përzgjedhur dhe të arritur.

Por çka sponsorizoi z. Krasniqi?

Siç është e pritshme, sponsorizimet kanë qenë të kryera në mënyrë zyrtare. Pra pagesën e ka kryer, ashtu siç figuron në disa postime, Partia Demokratike e Kosovës, timonin e së cilës e drejton Krasniqi.

“E paguar nga Partia Demokratike e Kosovës” – figuron nën emrin e Krasniqit në disa postime, të cilat i ka ruajtur Nacionale.

Më 31 dhejtor, Krasniqi natyrshëm zgjodhi të sponsorizojë videon e urimit të vitit të ri, ku ai e kritikonte Qeverinë Kurti.

“Viti 2023 duhet të na gjejë më të bashkuar dhe më të fortë për të përballuar sfidat që na presin” – shkruhet mbi videon e sponsorizuar. Siç tregon Facebook, Krasniqi e sponsorizoi mesazhin e tij të fundvitit me 500 deri 599 euro, duke tentuar të dërgojë mesazhin e tij te ndërmjet 500 mijë deri në 1 milion persona.

Në dhjetor, z. Krasniqi e sponsorizoi edhe një postim në lidhje me takimet e fundvitit me strukturat e PDK-së në Prizren. Po ashtu në dhjetor, Krasniqi sponsorizoi një fjalim të tij në një mbledhi te Halil Kastrati, udhëheqës i “Jetimave të Ballkanit”.

Edhe një postim për ditën e 17 të barrikadave, Krasniqi zgjodhi ta sponsorizonte. Përsëri pagesën e kreu PDK.

Në nëntor kohë kur Krasniqi sponsorizoi 14 statuse, ndër to një fjalim në Kuvend, një takim në Uashington DC, ku shkoi së bashku me Vlora Çitakun, një takim me djalin e George Sorosit dhe një vizitë në Këshillin Atlantik. Por Krasniqi nuk harroi të sponsorizonte edhe takimin e profesorin Daniel Serëer, takimin me Institutin Nacional Ndërkombëtar (NDI) dhe vizitën në memorial.

Në tetor, Krasniqi sponsorizoi një vizitë te të rinjtë e Vushtrrisë, një video për platformën digjitale “Rinia2022.org”, e një video drejtuar kryeministrit që titullohej “Shihemi në Kuvendin e Kosovës, Kryeministër!”.

Në shtator, z. Krasniqi kishte sponsorizuar takimin në Koventën e Grave dhe disa postime të tjera në lidhje me përfaqësimin 50/50 të burrave dhe grave në PDK. Por edhe fjalimi i Krasniqit në Kuvend për grevat u sponsorizuar. Natyrisht, përsëri të gjitha pagesat janë kryer nga PDK (ashtu siç figurojnë në Facebook).

Në korrik, u shpenzuan 100 euro për një postim të sponsorizuar.

Nacionale e pyeti Urim Buzhalën, përgjegjës për rrjete sociale në redaksi, rreth sponsorizimeve dhe mënyrës së të bërit reklamë politike në Facebook nga ana e Krasniqit. Buzhala tha se shuma e shpenzuar nga Krasniqi është e madhe.

“Duke e parë se Kryetari i PDK-së për një postim ka harxhuar 500 – 600 Euro mua më duket një shumë tepër e madhe. Në postimet e Memli Krasniqit shihet se audienca e synuar është mbi 99% Kosovë, pra një audiencë e vogël. Andaj kjo audiencë arrihet me një shumë më të vogël dhe nëse në të njëjtin postim harxhon shumë para, atëherë ua shpërndan më shumë se një herë. Pra është pothuajse njëjtë si 7 euro ditën, ashtu edhe 20 apo 100 euro, rezultati do të jetë përafersisht i njëjtë për shkak të audiencës së vogël që ka Kosova.” – tha Buzhala.