Lajme

Memli, kryetar i përkohshëm, “fati” i PDK-së në Hagë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
2:27 / 26 June 2025

NGA: FATON MEHMETI

Konventa e PDK-së nuk solli risi. Memli vazhdon të jetë ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së. Brenda partisë besojnë se ish-kryetari i tyre do të lirohet brenda vitit për t’u rikthyer në detyrë. Nëse ndodh që të dënohet, atëherë PDK do të futet në një proces të ri zgjedhor, ku Memli nuk ka gjasa të jetë kryetar. Tre rrymat e forta brenda partisë do të bëjnë beteja të ashpra për të marrë kontrollin e saj.

Konventa e sotme ishte vetëm procedurë, formalitet; Memli do të shijojë edhe pak muaj rolin e kryetarit në detyrë. Asnjëherë nuk ka qenë kryetar i plotë, me gjithë atributet që i gëzon kryetari i partisë më të madhe opozitare. Emri i tij është aq fragjil brenda partisë sa që nuk është nominuar për postin e kryeministrit, që zakonisht shkon me kryetarin e partisë.

Nëse do të kishte dinjitet për veten, Memli kurrë nuk duhet të lejonte të përdorej në këtë mënyrë nga të tjerët. Ose të jetë kryetar siç duhet dhe të sfidojë vetën për kryeministër, ose të largohet. Por kështu i shkon për shtati partisë, që i duhet një njeri i tillë.

Me apo pa vetëdije, z. Krasniqi e ka djegur politikisht veten duke lejuar të përdoret si levë e të fortëve të partisë, me grupacionet e fuqishme që mezi po presin përfundimin e procesit gjyqësor në Hagë, ku do të mësohet edhe fati i Thaçit dhe Veselit, për të nisur pastaj kalkulimet në bazë të fatit të tyre.

Gjasat janë të mëdha që të ketë ndarje të PDK-së mes interesave të shumta të grupeve të interesit, si dhe divergjenca të mëdha mes moshave dhe mentaliteteve.

Duhet shkundur fortë partia për të bërë metamorfozën e nevojshme, diçka që do të ndodhë herët a vonë. Kjo përfshin edhe Memli Krasniqin si pjesë të ndryshimeve.