Mimoza Kusari-Lila i ka hyrë seriozisht përpjekjes për rishkruarjen e historisë. Kuptohet, historisë politike personale. Ajo rrallë e përmend kohën kur qeveriste bashkë me Hashim Thaçin, si zëvendës i tij, pasi ajo periudhë tashmë cilësohet si “epokë e ish-regjimit” nga pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën po ashtu Kusari-Lila shërben.
Nga ish-zëvendëskryeministre e Hashim Thaçit dhe përgjegjëse për privatizimin e distribucionit të KEK-ut, zonja Kusari-Lila është shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së. “Regjimet” ndryshojnë, nga ai i PDK-së në atë të LVV-së, por e vetmja që mbijeton është Mimoza Kusari-Lila.
Ajo është alternativë e të gjitha partive, duke e simbolizuar më së miri vetë emrin e partisë së saj, “Alternativa për Kosovës”. Kusari-Lila është alternativa e përhershme e politikanëve.
Përpjekja për rishkrimin e historisë nga ana e Kusari-Lilës u vërejt edhe në një postim të së shtunës së 3 dhjetorit. Ajo shkoi në Hagë për të vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por në postimin e saj në Facebook, ajo që ra në sy ishte shmangia që ia bëri emrit të Hashim Thaçit, njërës nga figurave qëndrore të UÇK-së dhe politikanit më të pushtetshëm të 20 viteve të fundit.

Në shkrimin e titulluar “Shihemi në Kosovë”, Kusari-Lila e përmend vetëm emrin e Rexhep Selimit, ish-deputetit të LVV-së, që gjatë luftës njihej me nofkën “Dhjetëshi”. Madje ajo shkroi se gjatë vizitës në Hagë “takoi edhe bashkëluftëtarët e Rexhës”, duke mos treguar se saktësisht për kë e kishte fjalën.
Mimoza Kusari-Lila ka preferuar t’i reduktojnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e të tjerët në vetëm “bashkëluftëtar të Rexhës”.
“Sot vizitova mikun dhe bashkëpuntorin tim Rexhep Selimi në Hagë i cili padrejtësisht po mbahen atje bashkë me krerët tjerë të UÇK-së.
Gjatë vizitës takova edhe bashkëluftëtarët e Rexhës tek të cilët pashë unitetin, vullnetin dhe besimin e palëkundur që nga kjo sfidë e vendit tonë të ri, të gjithë do të dalin faqebardhë!” – shkroi zonja Kusari-Lila në profiling e saj.
Ajo tregoi se edhe si u përshëndetën “me Rexhën dhe të tjerët”.
“Sa e rëndësishme aq edhe e ndjeshme është që kjo histori e re e Kosovës të shkruhet ashtu si e meriton që gjeneratat e reja të kuptojnë vlerën e lirisë dhe sakrificës për shtetin tonë.
Me Rexhën dhe tjerët u përshëndetëm me fjalët, shihemi në Kosovë!” – përfundoi zonja Kusari-Lila.