Kryetari i LDK-së njofton për aderimin e një prej figurave më të njohura të inovacionit dhe teknologjisë në Kosovë.
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka njoftuar sot për aderimin e Ermal Sadikut në radhët e partisë.
“Mirë se vjen, Ermal! Me ardhjen tënde, LDK-ja forcohet me profesionalizëm, integritet dhe përvojë të vlefshme,” tha Abdixhiku. Ai e përshkroi Sadikun si një prej figurave kryesore të inovacionit dhe sipërmarrjes në Kosovë, një profesionist me vizion dhe lider me përvojë, që ka kontribuar në zhvillimin e sektorit të teknologjisë dhe digjitalizmit në vend.
Abdixhiku theksoi se ardhja e Sadikut është gjithashtu një mesazh për bashkim: “Ardhja e tij dhe e shumë të tjerëve që po na bashkohen, është një thirrje e qartë për të gjithë ata që besojnë se vendi meriton më shumë dhe dëshirojnë ndryshim.”
Ai shtoi se LDK-ja udhëhiqet nga besimi te potenciali i të rinjve kosovarë, që sipas tij janë çelësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe për të vendosur Kosovën denjësisht në hartën e inovacionit global.
“Dyert tona janë të hapura. Mirë se vjen, Ermal Sadiku! Paç shëndet e përkushtim në këtë rrugëtim të ri,” përfundoi Abdixhiku, duke përshëndetur publikisht aderimin e inxhinierit dhe sipërmarrësit të njohur.