Lajme

“Mjekët po vendosin kush jeton e kush vdes”, punonjësja shëndetësore i drejtohet Kurtit me shqetësim

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
10:15 / 29 July 2022

Punonjësja shëndetësore në Kosovë, Merita Brovina, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se personeli mjekësor po detyrohet të zgjedhë kush mund të jetojë e kush jo.

“Në kushte lufte apo emergjence të natyrave ekstreme mjekësore personeli mjekësor është i detyruar të bëj punën e Zotit të selektojë kush mund të jetojë e kush jo. Personeli mjekësor këtë formë të triazhimit e veprimit legjitim e mëson në lëndën Kirurgji Luftarake”, ka shkruar punonjësja shëndetësore.

Brovina i është drejtuar kryeministrit Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi. Ajo i ‘informoi’ ata që sot “nuk patën fatin të jenë të përzgjedhur në mesin e atyre që kanë të drejtë të vazhdojnë të jetojnë”.

“I dashur Kryeministër dhe i nderuar Ministër i Shëndetësisë. Ju informoj që ne sot në klinikën e Onkologjisë nuk patëm fatin të jemi të përzgjedhur në mesin e atyre që kanë të drejtë të vazhdojnë të jetojnë. Kush dhe si e bëri përzgjedhjen që në kushte normale i takon vetëm Zotit, besoj që duhet të angazhoheni që ta kuptoni e zbërtheni”, ka shkruar Brovina.

Ajo është ankuar për mungesën e një medikamenti të quajtur “Pembrolizuamb”. Ajo ka thënë se sot është dashur të arrijnë afër 80 ampulla të këtij medikamenti, por kanë ardhë vetëm 10.

“Pembrolizumab është një prej barnave mjekuese për të sëmurët me kancer i cili nuk mund të blehet në treg vendor e askund në rajon.Nga 80 ampulla sa duhet të furnizohet klinika e Onkologjisë sa i kanë të planifikuara dhe të kontraktuara sot pas një jave vonesë, klinikës i kanë ardhur vetëm dhjetë”, ka shkruar ajo.

Brovina theksoi se 70 ‘frymëmarrje të tjera’ s’e patin fatin të furnizohen me Pembrolizumab.

“Në mesin e atyre 80 pacientëve që presin ta marrin ilaçin janë përzgjedhur dhjetë të cilët në tentativat më të vrazhda për mbijetesë e kanë kuptuar me rrugë joformale që ilaçi vjen sot andaj kanë zënë dyert e klinikës para se ilaçi të zbarkojë në klinikë .Ne të 70- tët që e kuptuam me vonesë e vrapuam të marrim ilaçin nuk ishim me fat. 10 dhe 70 bëjnë 80 por nuk janë numra, janë jetë, njerëzish të këtij vendi që frymojnë, që sot dikush në këtë institucion të quajtur QKUK ka bërë punën e Zotit duke i selektuar: ti mund të vazhdosh të jetosh e ti jo! Probabiliteti për të pasur shansën për të jetur pak më gjatë sot ishte 1:8. Ne nuk e patëm atë fat e bashkë me ne edhe 70 frymëmarrje tjera!”, përfundoi ajo.