Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur Konventën, ku Bedri Hamza u zgjodh kryetar i ri i PDK-së. Në një proces të shpejtë dhe të organizuar me një disiplinë “ushtarake”, Hamza u zgjodh pa asnjë zhurmë. Në fakt, i vetmi njeri që artikuloi një kritikë për krejt këtë proces ishte Enver Hoxhaj, nënkryetar i PDK-së. Si u bë që Hoxhaj të mbetet demokrati i vetëm në partinë që në emër e ka cilësorin demokratike?
Në tri-katër ditët e fundit, i vetmi zë ndryshe në PDK ishte Hoxhaj, dikur ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Hashim Thaçit, ish-kryetar historik i PDK-së. Edhe këtë të hëne, Hoxhaj ishte i vetëm, shkruan Gazeta Politika.
Teksa ecte ngadalë në drejtim të skenës, ku do të mbante fjalimin, hapat e Hoxhajt më shumë ngjasonin me skenën epike të Mohikanit të fundit. Në të vërtetë, sot Hoxhaj ishte demokrati i fundit dhe i vetmi në Konventën e PDK-së, që guxoi të fliste pikërisht atëherë kur gjithë të tjerët u rreshtuar në mënyrë rigjide prapa Hamzës.
Ndonëse ishte një fat mohikan i parashkruar, skena nuk dukej aspak dramatike, përkundrazi ishte një skenë thellësisht e rëndomtë. Kur e nisi fjalën, Hoxhaj nuk ngurroi të kritikonte publikisht PDK-në për një proces të pabarabartë për kryetar të partisë.
Në një rikthim në të kaluarën e PDK-së, Hoxhaj theksoi se në konventat paraprake, partia kishte zgjedhur kryetarët historikë si Thaçi e Kadri Veseli.
“Konventa e PDK ka qenë çdo herë e ngjarje e madhe, por kur në konventë janë zgjedhë edhe personalitete historike si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ka qenë historike edhe konventa” – vlerësoi Hoxhaj, transmeton Gazeta Politika.
Tutje, Hoxhaj ritheksoi dëshirën e tij që kjo konventë të ishte demokratike.
“Kam pas qef që kjo konventë, meqë nuk janë liderët, të jetë demokratike, që të shyhet një javë…
Mendoj që mes kohës dhe kualitetit ne duhet të vnedosim për kualitetitn, dhe kualiteti i garës do të bëhej me proces demokratik, që të marrin pjesë më shumë se një kandidatë” – vlerësoi Hoxhaj, transmeton Gazeta Politika.
Hoxhaj rrëfeu edhe një takim me Hamzën dhe kishte një falënderim për Memli Krasniqin, ish-kryetar i PDK-së, që dha dorëheqje javën e kaluar.
E falënderoj kryetarin Memli për udhëheqjen, por mendoj që në mënyrë se si janë shpallë zgjedhjet për pesë ditë, dhe si mënjherë ka dhënë preferencën e tij, si mbështeti kandidatin, duke thënë që këtë duhet ta mbështetëni, dhe e ka bë garën të mbyllur, dhe nuk është demokraitke.
“Prandaj kam kërku një javë zgjatje, nuk e them me mllef as inati, as pakënaqësi, se kam menduar që është e rëndësishme që të bisedohet për platformë, ekipë, ta kem një ballafaqim idesh brenda një jave, dhe mandej ta mbajmë konventën.
Unë Hamzën e kam takuar dje, jemi shok, dhe kam kërkuar prej Bedriut që ne si gjeneratë e artë e hashimit dhe Kadrisë, që kemi qeverisë vendit, kemi kapacitet edhe me majt nnjë konventë pas një jave.
I kam thënë shtyje që po e mbajmë sot, e mbajmë edhe Konventën për kryeministër” – tha Hoxhaj.
Në fjalimin e tij, Hoxhaj tregoi se nuk do të ishte pjesë e garës, pasi vetë gara ishte e pabarabartë. Në fund, Hoxhaj i paralajmëroi të pranishmit se dikur do t’iu bie ndërmend fjalët e tij.
“Por dua të them vetëm që PDK ka nevojë për një vizion të ri. Sot nuk ka kushte të barabrata, as proces të barabartë, dhe nuk marrë pjesë në këtë garë. Por, dua të them një gjë, e respektoj vendimin e juaj. Do ta respektoj qëndrimin e juaj dhe orientimin. Mbi të gjitha e dua Kosovën. Tani e dua UÇK-në. Pastaj PDK. Pastaj Hashimin dhe Kadrinë. Këtë që po e them sot ju bjen ndërmend nesër” – ka thënë Hoxhaj.
Dhe me kaq edhe përfunduan kundërshtimet në Konventën e PDK-së, e cila vazhdoi me skenarin e paracaktuar, ku Hamza u zgjodh lehtësisht kryetar.