Lajme

Muhaxheri: Kurti e ka lëshuar bajrakun, nuk e kërkon më Çakorrin

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:20 / 29 September 2025

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se nuk ndien ndonjë kërcënim serioz nga rivalët në garën për kreun e komunës, duke akuzuar kandidatin e Vetëvendosjes, Taulant Kelmendin, se po e shfrytëzon Albin Kurtin në fushatë.

Kryetari aktual i Pejës, Gazmend Muhaxheri, është shprehur i bindur se do të marrë sërish besimin e qytetarëve për të udhëhequr komunën. I ftuar në emisionin “DPT te Fidani”, ai tha se kundërshtarët e tij nuk përbëjnë rrezik real dhe se kandidatët nuk kanë arritur të tregojnë ndonjë punë konkrete për qytetin.

Duke komentuar rivalin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Taulant Kelmendin, Muhaxheri tha se ky i fundit po tenton të mbështetet tek kryeministri në detyrë, Albin Kurti. “Njeriu që nuk di të vlerësojë punën e tjetrit, nuk di as vetë të punojë. Për të ditur të punosh, duhet të dish të vlerësosh punën e dikujt tjetër. Disa nuk e vlerësojnë nga inati, të tjerë nuk e kuptojnë punën që është bërë”, deklaroi ai.

Sipas Muhaxherit, është qesharake që një kryeministër të përfshihet në fushatë për të garantuar fitoren e një kandidati që, siç tha ai, nuk ka lënë gjurmë në Pejë. Ai përmendi edhe projektin për rrugën Pejë–Kuqishtë–Çakorr, duke theksuar se premtimet e rivalëve erdhën shumë vonë dhe pa rezultat.

“Kandidati nuk ka bërë asnjë punë konkrete për komunën. Pas pesë vjetësh u kujtuan për rrugën Pejë–Kuqishtë–Çakorr dhe për hapjen e kufirit në Çakorr”, tha Muhaxheri.

Ai shtoi se edhe vetë Kurti tashmë ka lëshuar pe nga kërkesat për Çakorrin: “Kryeministri e ka lëshuar flamurin dhe nuk po e kërkon më kthimin e Çakorrit”.