Lajme

Murati i reagon Përparim Ramës, insiston se Kuvendi po mbahet i bllokuar “nga opozita”

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
10:31 / 7 July 2025

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngrerë alarm të madh se Komuna e Prishtinës ka mbetur pa buxhet dhe se gjendja ka kaluar në nivele “jo njerëzore” dhe “thellësisht e rrezikshme”. Bllokadën e buxhetit ai e quajti “të qëllimshme” dhe jo thjesht vonesë procedurale.

Ndaj akuzave të Ramës reagoi ish-ministri i Financave, Hekuran Murati duke insistuar se fajtor për situatën është vetë LDK-ja. Ai i bëri thirrje Ramës “t’i kërkojë partisë së tij, LDK-së, që të kryejë obligimin kushtetues e të votojë për konstituim të Kuvendit.”

Postimi i plotë:

Përparim Rama përsëri paska rrejtë kur ka akuzu Qeverinë si bllokuese të buxhetit të Komunës së Prishtinës

Cila është e vërteta?

Buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale më së voni deri me 30 shtator ashtu që pastaj të mund të bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit, i cili nga Qeveria dërgohet në Kuvend më së voni me 31 tetor.

Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin as me 30 shtator, e madje as me 31 tetor.

Përparim Rama, përkatësisht asambleja e Komunës së Prishtinës ka miratur projekt-buxhetin komunal me 9 dhjetor, pra pas të gjitha afateve ligjore.

Kjo vonesë nënkupton që për të hyrë në fuqi projekt-buxheti komunal, nevojitet një ndryshim/plotësim i Ligjit të Buxhetit nga ana e Kuvendit.

Siç e dini, Kuvendi tash e sa muaj po mbahet i bllokuar nga opozita që po e shkel Kushtetutën duke mos votuar.

Tek pasi të konstituohet Kuvendi, e të zgjedhet Qeveria e Re, mund të inicohet plotësim/ndryshimi i Ligjit të Buxhetit për ta përfshirë edhe projekt-buxhetin e Komunës së Prishtinës.

Sa plason akuza të pavërteta, Përparim Rama e ka shumë më të lehtë që t’i kërkojë partisë së tij, LDK-së, që të kryejë obligimin kushtetues e të votojë për konstituim të Kuvendit, ashtu që pastaj të mundësohet edhe plotësimi i Ligjit të Buxhetit me buxhetin e Komunës së Prishtinës.