Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, tashmë po shkon drejt përfundimit të mandatit.
E opozita ka kritika të ashpra se në këtë qeveria shumë sektorë kanë stagnuar, e nuk ka zhvillim, shkruan Lajmi.net.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, në një intervistë për lajmi.net ka thënë se kjo është qeveria më e dobët që nga viti 2000.
Ajo u shpreh se nuk ka lobim e as njohje e as anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe për të kjo qeveri ka dështuar.
“Fatkeqësisht është Qeveria e vetme që nuk ka arritur të ketë lobim, nuk ka arritur të ketë asnjë anëtarësim në asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, asnjë njohje. Është qeveria më e dështuar që e ka pasur Republika e Kosovës që nga viti 2000, jo vetëm nga pavarësia”, ka thënë ajo për lajmi.net.
Musliu-Shoshi e cila është edhe anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme ka thënë se kjo qeveri ka qëndruar e fjetur, madje i ka acaruar marrëdhëniet edhe me shtetet mike.
“Kemi arrit që edhe këto marrëdhënie të cilat i kemi me shumë vende edhe t’i acarojmë dhe të kemi mendime që duhet të votojnë kundër Kosovës, pra e vlerësoj që është qeveria e cila ka qëndruar e fjetur më shumë është marrë me propagandë të brendshme sesi ta ruaj këtë elektorat që e ka pasur”, ka thënë ajo.
Ndërsa për sa i përket njohjes së shumë përfolur nga Greqia, deputetja e PDK-së u shpreh se nuk ka asnjë hap përpara nga puna e kësaj qeverie.
“Nëse flasim specifikisht me Greqinë, as edhe një hap përpara nuk është marrë. Zyra ndërlidhëse për çështje ekonomike ka ekzistuar ka ekzistuar qe shumë vite, Zyra ndërlidhëse e Greqisë në vendin tonë ekziston që shumë vite, nuk ke asnjë përparim nëse flasim në komunikim, nuk e kemi as edhe një hap përpara drejt njohjes”, ka thënë Musliu-Shoshi.