Lajme

“Një mister i mundshëm”, vjen paralajmërimi i fortë për PDK-në dhe LDK-në: Nuk mund t’ia marrin pushtetin Kurtit, vetëm nëse…!

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
4:59 / 5 October 2024

Kanë mbetur edhe pak muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, ato të 9 shkurtit 2025.

Shumë të përfolura janë edhe koalicionet zgjedhor, e në këtë pikë vëmendje marrin dy partitë e mëdha opozitare, LDK e PDK, si dhe partia në pushtet, LVV.

Ndonëse pas takimit të Memli Krasniqit dhe Albin Kurtit, në maj të këtij viti, ishin shtuar zërat për një marrëveshje në mes të këtyre dy partive, udhëheqësit e PDK-së kanë thënë se nuk preferojnë një koalicion me partinë e Albin Kurtit.

Një gjë të tillë e ka thënë edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

Ai ka treguar arsyet se pse preferon një koalicion me LDK-në pas zgjedhjeve.

“Për mua koalicion i preferuar për shkak të programit dhe koncepteve politike janë partitë në opozitë, do të thotë me LDK-në. Për shkak të dallimeve konceptuale, programore, të kaluarës, nuk është koalicion i preferuar, por vijat e kuqe janë treguar të paqëndrueshme dhe një diçka që nuk e kam bërë në të kaluarën dhe nuk e bëj as sot kur e kam parë që kanë dështuar. Nëse i kemi numrat me partitë opozitare, nuk bëjmë qeveri pa VV-në. Kjo qëndron”, është shprehur Hamza.

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.

Fillimisht, ai u shpreh se pritet të ketë konkurrencë mes partive, pasi edhe partitë opozitare kanë pasur kohë që të përgatiten më shummë.

“Edhe pak kohë ka mbetur deri në zgjedhjet e reja parlamentare të Kosovës, të cilat zgjedhje do quhen zgjedhje të rregullta dhe ndër ato të parat që do mbahen në një kohë të rregullt dhe me mandat të plotë nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

Sigurisht se këtë herë do të kemi një garë shumë të fortë të konkurrencës, duke u bazuar se opozita e tanishme PDK, LDK dhe AAK, kanë pasë kohë të mjaftueshme me u përgatit dhe sipas deklaratave të tyre, sikur janë mbushur mendje, që në të ardhmen do të qeverisin më mirë dhe me më përkushtim, por gjithçka do të varet nga vullneti i popullit”.

Krahas kësaj, Preqi foli mbi qëllimet e opozitës ndaj kryeminsitrit Kurti, derisa tha se aktiviteti i partive opozitare gjate katër viteve të fundit nuk ka qenë efektiv, pasi vetëm kanë lëshuar akuza të pabaza ndaj qeverisë.

Image

Dedë Preqi.

“Nuk është vështirë që në këto momente të zbulosh se cili është qëllimi i partive opozitare, kur akoma pa perfunduar mandati i plotë i qeverisjes, bëjnë organizime parazgjedhore dhe kjo shfaqet shumë herët, sikur që e kemi te PDK, e cila që në fillim të marsit të këtij viti e propozoi kandidatin e vet për kryeminsitër të vendit z.Bedri Hamza.

Gjithsesi, kjo opozitë nuk e ka treguar vetën edhe kur ishte në pushtet dhe as si opozitë, që vjen me një strategji që duket diçka efektive brenda aktiviteteve të saj, që nënkupton mundësi zhvillimi dhe mirëqenie të këtij vendi, por tërë aktiviteti i tyre gjatë kësaj periudhe katërvjeçar është i zbazët, të cilët e kanë shfrytëzuar, duke u zbrazur me mllefe të pa kontrolluara dhe akuza pa fakte, apo të rrejshme ndaj qeverisë dhe kryeministrit Kurti”, nënvizoi ai.

Më tej, opinionisti vlerësoi se qëllimet e opozitës janë egoiste dhe kanë vetëm për qëllim të largimit të Kurtit nga opozita.

Derisa, tha se një koalicion qeverisë PDK-LDK, nuk është i preferuar, pasi qytetarët janë në dijeni për pasojat që kanë lënë këto dy parti,

“Në këtë atmosferë lindin plot narrativa të ndryshme në lidhje me domethënien e konkurrencës, por shihet qartë se qëllimet e opozitës janë përpjekje të një natyre që lë përshtypjen e vetme që lidhet me etjen dhe egoizmin për pushtet dhe largimin e kryeministrit Kurti.

Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, në një intervistë të fundit ka potencuar se në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit, nuk kanë vija të kuqe me asnjërën parti, por nuk preferojnë koalicion me LVV, duke e parapëlqyer LDK, si një opsion të mundshëm, shkaku se konceptet dhe programet i kanë më të përafërta në mes vete.

PDK dhe LDK, ishin dy herë në koalicion qeverisës, në vitin 2008, dhe 2014, dhe duke marrë konceptin dhe rolin e tyre qeverisës, që kanë lënë një mori pasojash, këtë e di më së miri qytetari i këtij vendi, por mbi të gjitha do duhej të përvijohet një ndjenjë vigjilence, serioziteti dhe përgjegjësie përballë problemeve që janë aktuale në Kosovë, në veçanti problemet me fqinjin verior të Serbisë”.

Ndër të tjera, Preqi paralajmëroi se LDK dhe PDK nuk mund ta marrin pushtetin në kushte normale, por vetëm nëse LVV tërhiqet nga gara, apo ndodh ndodnjë mister.

“Potencialisht një koalicion i mundshëm në mes PDK dhe LDK, do të ndodhte në zgjedhjet e ardhshme, vetëm nëse LVV, do të largohej vet dhe vullnetarisht nga gara e këtyre zgjedhjeve, apo nëse ka të ngjarë si diçka që do të rrjedhte nga një mister i mundshëm, apo e ndonjë fuqie të organizuar pa vullnetin e këtij populli, përndryshe, kjo opozitë momentale, njëherë përnjëherë mundet vetëm të ëndërrojë qeverisjen dhe pushtetin e saj, për deri sa vetë qytetarët e këtij vendi ia kanë caktuar vendin e merituar.

PDK, e parapëlqen një koalicion me LDK, sepse nuk ka tjetër rrugëdalje, me AAK, e di fare mirë se ka gjasa kjo parti të mos e kalojë pragun, dhe një dëshirë e saj kryeneqe që arrinë të krijojë diçka të ngjajshme, sikur nuk do të funksionojë, ku në çdo çast ka diçka që do të digjej nga brenda, (e di edhe bota) dhe do të prodhonte një qark të shkurtër të funksionimit me njëra-tjetren, duke kërkuar rrugëdalje të menjëhershme, sepse është vetëm një sajim pa një fuqi të brendshme dhe të vullnetshme”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.