Drejtori i Gazetës Online Insajderi dhe gazetari Parim Olluri përmes një statusi në “facebook” ka ironizuar Kryeministrin Kurti pas deklaratave të këtij të fundit se Kosova është në rrezik që të këtë luftë.
Olluri ka shkruar se edhe po të bëhet luftë Kurti nuk mund të bëhet si Zelensky sepse sipas tij kjo kompetencë i takon presidentes Osmani.
“Edhe nëse bëhet luftë, Kurti nuk mund të bëhet si Zelensky. Kompetencat e komandantes supreme të ushtrisë i takojnë Vjosa Osmanit”, tha ai.
Olluri e quajti edhe të pafat Kurtin duke thënë se nuk ka mundur të bëhej pjesë e UÇK-së për shkak se ishte i ri në moshë.
“Shumë është i pafat kah ana e heroizmave të luftës. Në UÇK nuk pati mujte me hi. Pati qellu i ri në moshë. Shtalb hala ”, përfundoi ai.

Ndryshe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica” se ekziston rreziku për një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Kurtit, marrë parasysh se pas Serbisë qëndron lideri rus, Vladimir Putin, edhe rreziku për konflikt mbetet i lartë.
“Rrezikojmë luftë. Pas Serbisë është Putini. Nuk do të thosha se rreziku është shumë i madh, sepse ne kemi edhe një kontingjent të NATO-s këtu, por sigurisht që është i lartë. Ne jemi një demokraci që kemi një autokraci në kufij”, tha Kurti.