Kjo është java e pestë e grevës në arsim. Mes SBASHK-ut dhe Qeverisë ende nuk është gjetur një zgjidhje. Asnjëra palë nuk po lëshon pe, ndërsa, ankesat kryesore janë se nxënësit po dëmtohen.
Ndërsa, greva po zgjatet, zërat kritik dhe pakënaqësitë janë shtuar, se mbajtja e shkollave mbyllur, është gjë shumë e gabuar dhe po dëmtohen fëmijët.
Madje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka akuzuar krerët e SBASHK-ut se duke i quajtur sindikalistë të PAN-it.
“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar… prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë”, shtoi kryeministri.
Kurse, në komunikatën e lëshuar nga SBASHK-u, kanë thënë se deklarimet e Kurtit janë zhgënjyese andaj greva do të vazhdojë.
“Të gjendur në këtë situatë e të zhgënjyer nga këto deklarime të Kryeministrit të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi me kryetarët e Këshillave greviste të nivelit komunal e të universiteteve me keqardhje janë shprehur se kjo mungesë e vullnetit të Kryeministrit, e Qeverisë për dialog dhe injorimi i kërkesave legjitime të grevistëve po bën që greva të vazhdojë edhe në ditët ne vijim”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Ndërkohë, ka zëra kritikë ndaj sindikatave dhe të tjerë, që kritikojnë Qeverinë, dhe që kryesisht vijnë nga opozita. Por, nuk janë duke munguar as zërat kritikë të prindërve dhe intelektualëve për mësimdhënësit, që sipas tyre ata duhet ta marrin situatën nën kontroll dhe të reagojnë, me thyerje të grevës.
Një nga personalitetet që u ka bërë thirrje sot mësimdhënësve që t’i japin fund grevës është ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu.
Mehmeti: LDK të rri anash dhe mos të përzihet, s’ka kredibilitet
Analisti Faton Mehmeti në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se LDK-ja është ajo parti, e cila nuk ka të drejtë të flas fare, sepse sa ka qenë në pushtet, mësuesve ua ka rrit pagën vetëm 8 euro, derisa sot akuzon dikë për mos mbështetje.
“Është kjo opozitë që asnjëherë se ka marr mundin t’i krijojë kushtet më të mira për mësimdhënësit, arsimin e kanë degraduar pikërisht ata që janë sot në opozitë. E, LDK-ja gjatë 7-8 vjet në pushtet pas luftës, krejt 8 euro ua ka rrit pagat mësuesve, është po kjo LDK-ja, që s’ka bërë as kontributin më të vogël për ligjin e pagave etj., dhe po kjo akuzon dikë tjetër për mos mbështetje. Kështu që, LDK-ja s’ka kredibilitet për të folur për arsim dhe dinjitet të mësimdhënësve”, shprehet ai.
Sipas tij, opozita e ka bërë pjesë të agjendës anti-qeveri grevën, jo që është e interesuar për fatin dhe dinjitetin e mësuesve.
“Opozita e ka bërë pjesë të agjendës anti-qeveri grevën, jo që është e interesuar për fatin dhe dinjitetin e mësuesve. Më së miri është që LDK-ja të rrijë anash dhe mos të përzihet, s’ka kredibilitet, të reformohet se me këtë kryesi dhe kryetar që e ka gjatë do të rrijë në opozitë. Ndërsa, Kurti ka të drejtë kur akuzon kryesinë e SBASHK-ut si PAN-ista, por jo krejt anëtarësinë e sindikatës, pasi aty ka njerëz të ndryshëm”.