Gjatë ditës së djeshme në Kosovë u lansua “Dritarja për Investime të Diasporës”.
Kjo nismë është krijuar nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, në partneritet me USAID-in, përmes Projektit Promovimi i Investimeve dhe Qasja në Financa.
Në ngjarjen lansuese mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Me këtë rast Kurti tha se një projekt i tillë e lehtëson financimin e projekteve në të cilat bizneseve të mërgatës sonë iu mundësohet që të zgjerohen edhe në Kosovë.
“Po e hapim dritaren për garantimin e investimeve të diasporës, e cila e lehtëson financimin e projekteve në të cilat bizneset e mërgatës sonë iu mundëson që të zgjerohen edhe në Kosovë. Përmes kësaj dritareje, do të mundësohet garantimi i kredive investuese deri në 3 milionë euro, ndërkaq e tërë dritarja parashihet që të arrijë deri në 100 milionë euro”, tha kryeministri në fjalimin e tij.
E në anën tjetër, zëra e reagime të ndryshme pati nga partitë opozitare.
Në një prononcim për lajmi.net Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur këtë lëvizje të qeverisë së vendit “Interes elektoral”.
Zemaj ka thënë se të gjitha adresimet e Kurtit kanë qenë puro-elektorale, përfshirë këtu edhe projektet për diasporën.
“Adresimet që i ka bërë prej fitores së tij në zgjedhjet e fundit i ka pas krejt puro elektorale. Mërgata i kujtohet vetëm kur ka nevojë për vota, sikur tash që ishte vendimi gjoja për investime, duke e dit që këto katër vite më shumë janë përndjek njerëzit që kanë dashtë me investu në Kosovë, në mënyrën se si janë trajtu. Si me taksa, si me legjislacion edhe përmes ligjeve duke dashtë të vë në kontroll krijimin e pasurisë së tyre”, është shprehur Zemaj.
Ai të tillave projekte iu është referuar si “dëshmi publike në emër të një patriotizmi të rrejshëm”.
“Këto janë dëshmi publike që ai i përdorë vetëm kur janë zgjedhjet në emër të një patriotizmi të rrejshëm”, shtoi Zemaj tutje.
Zemaj ndër të tjera tha se mërgata janë të dëshpëruar me mënyrën se si LVV në krye me kryeministrin Kurti ka qeverisur përgjatë kësaj periudhe.
“Çështja është se sa është dukë bërë për zhvillimin e vendit, sepse pothuajse në gjitha dikasteret ka pas ngecje, edhe në zhvillimin ekonomik edhe në shumë gjëra të tjera. Pra, mërgata besoj që është e vetëdijshme, jetojnë në shtete ku kanë demokraci të zhvilluar. Kur vijnë në Kosovë e shohin se për katër vite nuk është bërë asgjë, kështu që edhe unë besoj që sidomos atë që e kemi pa viteve të fundit ka shumë nga ata që janë të dëshpëruar, edhe me sjelljen po edhe me mënyrën se si ka qeverisur vendin”.
E në fund, Zemaj u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme vota e qytetarëve do të ndëshkojë siç ai thotë “keqqeverisjen” e vendit, duke shtuar bindshëm se mandati i ardhshëm do ta gjejë Kosovën të udhëhequr nga partia në të cilën ai vet bën pjesë.
“Unë e di që LDK-ja ka me i fitu zgjedhjet. Mendoj që qytetarët kanë me e ndëshku keqqeverisjen, keqmenaxhimin e parasë publike dhe mashtrimet elektorale që i ka bërë sa ka qenë në pushtet”, përfundoi ai.
Në anën tjetër, deputetja opozitare nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në një përgjigje me shkrim për lajmi.net e ka cilësuar lidhjen e partisë në pushtet me mërgatën si tejpërtej oportuniste.
“Rrjedhimisht lidhja e tij me mërgatën tonë është oportuniste tejpërtej. Lidhja e tij me bashkatdhetarët tanë është shfrytëzuese asgjë më shumë“, është shprehur Musliu.
Musliu tha se kryeministri Kurti për agjendën e vet “shfrytëzuese“ në raport me mërgatën pati një ndihmesë të madhe nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.
“Albin Kurti për agjendën e tij shfrytëzuese në raport me mërgatën pati një ndihmesë të madhe nga Liza Gashi e cila shërbeu si mashë në duart e një demagogu dhe dezinformoi pjesën më të ndjeshme të popullit duke i gënjyer pa fije turpi dhe duke i plaçkitur pa fije turpi. Por bashkatdhetarët tanë nuk janë naiv dhe nuk lejojnë askënd që t’i shfrytëzoj dhe t’i keqpërdorë. Unë kam besim që mërgata do të veprojë në interes të Kosovës, e jo të një demagogu. Le të mendojnë dhe le të analizojnë vet,“ shtoi tutje ajo.
Musliu tha se qeveria aktuale nuk do të marrë numrin e votave që ka marrë në mandatin paraprak, duke u shprehur me shpresën që qytetarët do t’i japin një leksion qeverisë Kurti.
Musliu përfundoi duke thënë se një popull që i ka bërë ballë pushtimeve më të egra do t’i jap atë që meriton sipas saj edhe këtij lloji politikanësh. Ky popull që ju ka mbijetuar hordhive më të egra pushtuese do t’ju jap atë qe meritojnë edhe ky soj i politikanëve. Atyre që ende këmbëngulin në ideologjinë e Albin Kurtit dua të ju them se jemi në fazën para diktatoriale, prandaj i ftoj t’i thonë JO. Jo, sepse diktaturat na kanë sjellur vetëm të këqija, na kanë lënë jashtë historisë së këtij kontinenti dhe na kanë kushtuar dhjetëra mijëra jetë njerëzish”.
“Demagogët zakonisht asnjëherë nuk mund të korrin rezultatin e mandatit të tyre të parë. Premtimet e tyre utopike nuk janë të realizueshme dhe rrjedhimisht nxjerrin vet fytyrën e vërtetë në shesh, një fytyrë prej gënjeshtarit. Shpresoj që ky popull t’i jap një leksion Albin Kurtit dhe çdo politikani që mendon se kanë të bëjnë me analfabet funksional“, përfundoi ajo.
Ndërkaq, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë që kryeministri Kurti flet për diasporën vetëm dy javë në verë dhe dimër kur ata vijnë për pushime, duke shtuar se sipas tij është kryeministër qe 5 vite dhe ndryshimi rrënjësorë që u ka premtuar është barazi me zero.
“Kryeministri Kurti i don Diasporën vetëm në kohë të zgjedhjeve, ndërsa shkruan dhe flet për ta vetën dy javë në verë dhe dimër kur ata vijnë në pushim për ti mashtruar me ëndrra e llafe të kota. Po harron që është kryeministër që 5 vite dhe që u ka premtuar diasporës ndryshim rrënjësorë, ndërsa faktikisht rezultatet janë baraz me zero“, ka thënë Lekaj.
Ai thotë se Qeveria Kurti nuk bëri mirëqenie për qytetarët, as zhvillim ekonomik e as ndonjë përparim në arenën ndërkombëtare.
Tutje, Lekaj u shpreh se është e pritshme që të gjitha sondazhet e nxjerrin LVV-në që ka rënie në votë përderisa pritjet e premtimet ishin të mëdha.
“Lëvizja Vetëvendosje ka rënie të madhe në votë dhe përkrahje nga populli. Premtimet dhe pritjet ishin shumë të mëdha, ndërsa nuk u bë asgjë, prandaj është e pritshme që të gjitha sondazhet e nxjerrin që ka rënie në votë të VV-së, në krahasim me zgjedhjet e fundit nacionale“, përfundoi Lekaj.
Dritarja për investime të diasporës është një skemë e re e ndarjes së rrezikut nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore për garantimin e kredive për t’u ofruar investitorëve të diasporës qasje në kredi për projektet e tyre investuese në Kosovë.
Programi i ri i garancisë do të promovojë rritjen e fluksit të kapitalit privat të diasporës në Kosovë duke tërhequr investime të reja drejt themelimit të ndërmarrjeve të reja sipërmarrëse ose fuqizimit të bizneseve të sapo krijuara nga diaspora.
Duhet përkujtuar që në zgjedhjet e kaluara VV kishte arritur të ketë një përkrahje të madhe të diasporës e që të siguronte vota të shumta pikërisht nga këta të fundit.