NGA: REXHEP ELEZAJ
Një fjalë e urtë popullore thotë; “Ku ke, kurkund, çka bane, kurgja..!?”, pra ky do ishte vlerësimi i sakët i dështimit të grevës njëmujore e SBASHK-ut, e cila dje u ndërpre turpshëm dhe me dëme të pariparueshme për arsimin dhe edukimin shkollor në Republikën e Kosovës..!?
Sepse, pengimi i fillimit të vitit të ri shkollor, 2022/23, si dhe sabotimi i procesit mësimor nga SBASHK-u, në asnjë rrethanë të mundshme, nuk ka guxuar t’i ndodhë Kosovës, pa marrë parasysh faktin, se të ardhurat mujore të mësimdhënësve janë mizerabël dhe tepër të ulëta, meqë mësimdhënësit, si ajka e arsimit dhe si pedagogë që janë, për kurrfarë (për)çmimi nuk është dashur t’i nënshtrohen premtimeve të rrejshme të kreut të SBASHK-ut për rritjen e rrogës prej 100 eurove. Ngase, nuk ka çmim në botë kur arsimi është në pyetje, që është dashur t’i mashtrojë që për pak të holla dhe t’i lënë 380 mijë nxënës në shtëpi për një muaj, sepse janë mësuesit të cilët e dinë më së miri misionin e tyre kombëtar, dhe sa e madhe është humbja e orëve të mësimit për nxënësit fillorë, vetëm për në një ditë të vetme, e lere më për një muaj..!?
Nuk ka laps i cili mund t’i llogaritë orët e humbura të mësimit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë, nëse ato i shumëzojmë me numrin e orëve të humbura të mësimit për katër javë, here 350 mijë nxënës, e, që na dalin miliona orë të humbura të cilat asnjëherë nuk do mund të kompensohen në masën dhe cilësinë e orëve të rregullta. Por edhe nëse kompensohen disi, ato orë kurrë nuk mund ta kenë efektin e orëve të mësimit të rregullt, e që humbjen e tyre në miliona e bënë disa herë më të rënd.
Njëjtë, nuk duhet harruar as vonesën njëmujore të fillimit të vitit të ri shkollor që është dashur të nis me 1 shtator, as ngarkesat psikike të nxënësve dhe dekoncentrimi i tyre psikologjik përgjatë një muaji duke ndejë në shtëpi koti, as vonesat në realizimin e plan-programit mësimor deri në përfundim të vitit shkollor që do jenë të pashmangshme, etj., e që i gjithë ky skandal i pa precedent në historinë e arsimit dhe edukimit në Kosovë, e kështu me radhë, organizatorët e grevës duhet patjetër të japin përgjegjësi morale, politike dhe ligjore për dëmin tepër të madh që ia kanë bërë procesit mësimor në Kosovë me grevën e tyre të pakuptimtë..!?
Në gjithë këtë zallamahi grevash nuk janë fare të pafajshëm as vetë mësimdhënësit, të cilët duke rënë pre e mashtrimeve të udhëheqësve të SBASHK-ut për 100 euro, pranuan t’i bashkëngjitën grevës, duke lejuar që nxënësit e tyre të shkëputën nga zënia e diturisë, sidomos filizat e reja 7 vjeçare të cilët do hynin në klasën e parë, e që ende nuk e kanë filluar me mësimin e germave të alfabetet të bukur shqip, ndërsa moshatarët e tyre në vendet fqinje, tanimë i kanë mësuar 10-12 germa të reja..!?
Po ashtu, përgjegjësisë shtetërore dhe kushtetuese nuk mund të ikën, në asnjë rast, as qeveria dhe kryeministri i saj, e cila po sikur ta kishte parasysh dëmin kardinal që po i bënte greva e arsimtarëve arsimit në Kosovë, me kohë do gjente një zgjidhje adekuate, duke ua rritur rrogat mësimdhënësve me përqindje, dhe jo të vepronte dhe sillej nga pozitat e forcës së pushtetit si dhe me megalomani prej pushtetarësh, duke e lënë procesin mësimorë dhe shkollimin e 380 mijë nxënësve në mëshirën e një krye-sindikalistit injorant, servil dhe mediokër, i cili gati sa nuk e mori në dorë tërë pushtetin, duke e çuar vendin drejtë një humnere të pafund..!?