Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Vitin e Ri 2026 duke shprehur dëshirën që ai të jetë vit i bashkëpunimit, përgjegjësisë e sukseseve.
Në urimin për Vitin e Ri, Osmani ka thënë se 2025-ta ka qenë një vit sfidues për Kosovën.
“Në këtë natë ndërrimi vitesh, teksa mbyllim një vit të mbushur me punë, vendime të rëndësishme, por edhe me sfida, ndalemi për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar së bashku dhe mbi forcën që kemi treguar si shtet dhe si shoqëri. Viti që po e lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet. Ka qenë një vit në të cilin kemi forcuar edhe më shumë pozitën ndërkombëtare të vendit tonë, kemi mbrojtur rendin kushtetues e interesin shtetëror, si dhe një vit në të cilin kemi vazhduar punën për t’i forcuar aleancat tona me partnerët tanë strategjikë. Kosova ka treguar se është e pranishme, e dëgjuar dhe e respektuar në tryezat ndërkombëtare, si faktor paqeje, stabiliteti dhe besueshmërie”, ka thënë ajo në mesazhin e urimit.
Osmani ka shtuar se Kosova qëndroi e palëkundur ndaj përpjekjeve destabilizuese dhe njëkohësësiht po vazhdon ndërtimin e një shoqërie të drejtë.