Presidentja Vjosa Osmani, bashkë me bashkëshortin, sonte bëri iftar në Vinarc të Mitrovicës në familjen e Halil Hasanit, që i ka katër djem të zhdukur gjatë luftës.
Osmani tha se si institucione janë angazhuar që të ofrojnë përkrahje për familjet e personave të zhdukur, duke thënë se “dhimbja e tyre është edhe e jona”.
“Në Vinarc të Mitrovicës, u mirëpritëm për iftar në familjen e Halil Hasanit, liria e së cilës ende nuk ka marrë kuptim nga ankthi për fatin e katër djemve të tyre të rrëmbyer dhunshëm gjatë luftës. Dhimbja e tyre është edhe e jona, ndaj sonte solidarizohemi dhe bashkëndjejmë me ta sikurse edhe me mijëra familje të tjera në Kosovë dhe angazhohemi që si institucione të ofrojmë gjithë përkrahjen e nevojshme”, ka shkruar presidentja Osmani.
E para e shtetit po zhvillon një turne nëpër komunat e Kosovës, të cilin e nisi nga Gjilani dhe e vazhdoi në qytetin e saj të lindjes Mitrovicë, ku po takon kryetarët e komunave dhe qytetarët për të kuptuar nga afër problemet e tyre.