Lajme

Osmani: Do të angazhohem me administratën Trump për ta ruajtur dhe mbrojtur aleancën tonë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
10:52 / 18 September 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do të angazhohet me administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për ta ruajtur dhe mbrojtur aleancën mes dy vendeve.

Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Brendan Hanrahan, ku ka folur për rëndësinë e ruajtjes së aleancës Kosovë – SHBA dhe koordinimin.

“Aleanca e fortë me SHBA-në ka qenë gjithmonë në dobi të popullit tonë, të sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe integrimit euroatlantik. Si presidente e vendit tim do të angazhohem me administratën e presidentit Donald Trump për ta ruajtur dhe mbrojtur aleancën tonë të bazuar në besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 12 shtator e kanë pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për një kohë të pacaktuar.

Në njoftimin e publikuar në Facebook, Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se vendimi është marrë pasi që veprimet e Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.