Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten, Vjosa Osmani, për nder të 23-vjetorit të çlirimit, kanë bërë nderime te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë, shkruan Express.
Presidentja tha se më 12 qershor 1999 ushtarët e NATO-s hynë në Kosovë duke dhënë kumtin e lirisë dhe duke ndalur vuajtjet e popullit shqiptar.
“Jemi mirënjohës kontributit të secilit, gjithë atyre që morën vendimin politik për të ndërhyrë në Kosovë në mënyrë që Kosova të çlirohej dhe të gjithë atyre që shërbyen që nga viti 1999 e tutje në mënyrë që paqja e siguria të ruhej në Republikën tonë, por edhe gjithë rajonin tonë. Miqësitë të cilat janë ndërtuar me SHBA dhe të gjitha shtetet anëtare të NATO-s për ne janë të shenjta ato i ruajmë por mbi të gjitha i kultivojmë edhe më tej sepse Republika jonë në rrugën përpara ka nevojë për miq të tillë, miq me të cilët i ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, të demokracisë e të paqes. E edhe sot kur këto vlera po kërcënohen në kontinentin tonë ne qëndrojmë përkrah tyre duke dhënë kontributin tonë sado të vogël pikërisht duke dëshmuar se liria, demokracia dhe parimet siç janë sovraniteti dhe pavarësia në shtetin tonë dhe kudo në botë duhet të ruhen dhe duhet të respektohen”, u shpreh ajo.
Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se Kurti ka thënë se 19 shtete demokratike të Aleancës Veriatlantike u bënë bashkë dhe ndërhyn ushtarakisht kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit që ta ndalin gjenocidin e forcave serbe në Kosovë.
“Aeroplanët e NATO-s bombarduan për 78 ditë, por më 12 qershor sipas kryeministrit Kurti është dita kur trupat tokësore, këmbësoria e NATO-s i bashkëngjitet sulmeve nga ajri dhe në këtë mënyrë na bën të mundshme që për çdo vit, e sot janë bërë 23 vjet, ne ta kremtojmë 12 qershorin si ditë të çlirimit e të paqes”, u shpreh kryeministri Kurti.