Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jorn Rohde, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Rohde për kontributin e çmuar gjatë viteve të shërbimit të tij në vendin tonë, duke vlerësuar lart rolin aktiv dhe mbështetës të tij në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Gjermanisë.
“Gjermania ka qenë dhe mbetet një partner strategjik i pazëvendësueshëm për Kosovën. Bashkëpunimi ynë është në rritje të vazhdueshme, në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik dhe integrimit euroatlantik,” tha Presidentja Osmani.
Ajo theksoi rëndësinë e veçantë të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, të cilat janë forcuar edhe falë kontributit të diasporës kosovare në Gjermani, e cila, përmes investimeve dhe angazhimit të tyre, shërben si një urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet dy popujve.
Presidentja gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në fusha të ndryshme zhvillimore dhe për përkrahjen e palëkundur për rrugën euroatlantike të Kosovës.
Në fund të takimit, Presidentja Osmani i uroi ambasadorit Rohde suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të ardhshme diplomatike, duke e përshëndetur për bashkëpunimin dhe përkushtimin gjatë mandatit të tij në Kosovë.