Presidentja zbulon takimet me Donald Trump, thotë se diskutimet janë fokusuar në sigurinë, paqen dhe sovranitetin e vendit.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për takimet dhe diskutimet që ka zhvilluar me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke theksuar se roli amerikan në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës mbetet thelbësor dhe i pazëvendësueshëm.
Osmani bëri të ditur se ka pasur disa biseda me Trump që nga zgjedhja e tij, të përqendruara kryesisht në situatën e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
“Kam pasur disa diskutime me Presidentin Trump nga momenti i zgjedhjes së tij. Një nga takimet kryesore është zhvilluar në Paris, në Pallatin Elize. Diskutimet kanë qenë të fokusuara në situatën e sigurisë dhe në nevojën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të kenë rol lidershipi në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë”, tha ajo.
Sipas presidentes, pjesë e këtyre takimeve kanë qenë edhe bisedat në kuadër të sesioneve në Kombet e Bashkuara, ku është diskutuar për rolin e administratës amerikane në garantimin e paqes, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në rajon.
Ajo theksoi se kontributi i SHBA-së mbetet vendimtar në forcimin e shtetësisë së Kosovës.
“Roli i Amerikës në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, në mbrojtjen e kufijve tanë së bashku me institucionet tona të sigurisë dhe në shtyrjen përpara të Kosovës me sovranitet të plotë dhe integritet territorial të plotë, është rol i pazëvendësueshëm”, u shpreh Osmani.
Presidentja shtoi se një pjesë e diskutimeve me Trump kanë qenë të natyrës diskrete dhe detajet do të bëhen publike në një moment tjetër, për hir të interesave shtetërore dhe marrëdhënieve me SHBA-në.
“Ka qenë një diskutim falënderimi për rolin që Shtetet e Bashkuara po e luajnë për Kosovën dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Amerika i jep shtetit tonë”, përfundoi Osmani.