Disa nga reformat kryesore të inicuara nga Qeveria e Kosovës, nuk e kaluan testin e Gjykatës Kushtetuese.
Tek arbitri më i lartë për interpretimin e dispozitave kushtetuese, pritet të përfundojë edhe projektligji për themelimin e Fondit Sovran, që është projekti më i rëndësishëm ekonomik i Qeverisë Kurti.
Atë në Kushtetuese do ta dërgojë përsëri, PDK-ja.
“Absolutisht është një institucion i cili bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Agjencia Kosovare e Privatizimit është një institucion i përcaktuar me dispozitat kalimtare të kësaj Kushtetute dhe ajo është një kategori kushtetuese deri në përfundimin e mandatit të saj, pra deri në përfundimin e privatizimit të pronave shoqërore. Kjo është e rëndësishme dhe ti nuk mundesh një institucioni të tillë me i marrë kompetenca”, ka thënë Abelard Tahiri – Shef i GP të PDK-së.
Shumë shkelje të Kushtetutës kanë evidentuar edhe në Grupin për Studime Juridike dhe Politike.
“Problematikat kryesore qëndrojnë që përveç asaj që shteti do të mund të investoj tek kompanitë e brendshme, me këtë është paraparë edhe krijimi i kampionëve nacional, apo i sipërmarrjeve kampion, e që është në kundërshtim të ashpër me vet nocionet e të drejtës së konkurrencës, sepse krijon monopole e oligopole”, ka sqaruar Levik Rashiti – GLPS.
Mirëpo me këto gjetje nuk pajtohet kryetarja e grupit punues, Jeta Statovci.
“Është e dhimbshme në sensin e synimit të mirë që ka Fondi Sovran, në sensin e rikthimit në funksionalitet të plotë të aseteve, gjithashtu edhe përthithje të fondeve të reja, që pastaj po të jenë këto institucione profitabile, këto fonde mund të përdoren për ta stimulura tutje edhe sektorin privat”, ka thënë Jeta Statovci – Deputete e GP të LVV-së.
Qeveria e Kosovës po synon që disa ndërmarrje publike t’i kalojë nën menaxhimin e Fondit Sovran.
Në mesin e tyre janë KEK-u, Telekomi, Posta e Infrakosi, të cilat fillimisht duhet të ristrukturohen.
“Tashmë krijohet një entitet i cili i përvetëson ato asete publike, nën idenë e rritjes së organizimit dhe mirëfunksionimit të tyre, gjithashtu edhe hapjes ndaj fondeve të reja. Pra ato veçse janë në pronësi të institucioneve publike dhe shtetit, mirëpo në kuadër të situatës aktuale deri tash me të cilin kanë funksionuar nuk është që kanë pasur një performancë pozitive”, ka shtuar Jeta Statovci – Deputete e GP të LVV-së.
Gjatë së premtes në Kuvendin e Kosovës 62 deputetë, kanë votuar pro këtij projektligji, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Si pjesë e Projektligjit për Fondin Sovran në lexim të dytë u përfshin 47 amendamente.