Lajme

Paris Guri mbron Abdixhikun: Kritikat po vijnë nga oportunistë politikë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:55 / 16 January 2026

Ish-deputeti thotë se sulmet ndaj LDK-së po bëhen nga persona jashtë partisë dhe nga ata që kanë qenë pasivë për vite me radhë.

Ish-deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka reaguar ndaj debateve të fundit rreth dorëheqjeve dhe përgjegjësisë për humbjen e partisë në zgjedhje, duke i cilësuar shumë nga kritikat si të padrejta dhe të motivuara politikisht.

Guri thekson se është normale të ketë debat për gabimet dhe rënien e LDK-së, por sipas tij, shqetësuese është se shumica e reagimeve po vijnë nga persona që nuk janë pjesë e partisë, madje edhe nga kandidatë të partive të tjera, si dhe nga individë që prej katër vitesh kanë folur me defetizëm për LDK-në.

Ai rikujton se gjatë gjithë kësaj periudhe, aktivistët dhe strukturat e LDK-së janë përballur çdo ditë me sulme nga pushteti aktual, i cili sipas tij kishte në shënjestër të vazhdueshme partinë. Ndërkohë, ata që sot po kritikojnë, sipas Gurit, kanë qenë spektatorë.

Guri hedh poshtë akuzat për mos-punë, duke përmendur aktivitetet e shumta të LDK-së gjatë viteve të fundit, përfshirë riorganizimin e organeve, hartimin e programit politik me 28 departamente, lansimin e platformës “Lidhja për të Ardhmen”, organizimin e qindra takimeve me qytetarë përmes iniciativës “LDK ju dëgjon”, si dhe zgjerimin e strukturave partiake në Prishtinë.

Ai vlerëson gjithashtu angazhimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se nuk ka pasur kryetar partie që ka takuar më shumë qytetarë gjatë këtyre pesë viteve, duke dëgjuar nga afër problemet e tyre.

Sipas Gurit, LDK meriton kritikë të ndershme, por jo gjykim nga “tribuna e atyre që nuk u futën kurrë në lojë”. Ai i quan këto reagime oportunizëm politik të përgatitur që nga marsi i vitit 2021.

“Humbja nuk fshihet duke sakrifikuar njeriun që mori barrën më të rëndë. Udhëheqja nuk matet vetëm me fitore, por me guximin për të qëndruar kur është vështirë,” thekson Guri.

Në fund, ai nënvizon se Abdixhiku ka marrë përgjegjësi si në vitin 2021, ashtu edhe pas zgjedhjeve të fundit të 28 dhjetorit, duke dalë publikisht dhe duke e pranuar barrën, ndonëse, sipas tij, vendimet kanë qenë kolektive dhe të dala nga forumet partiake.

“LDK ringrihet duke qëndruar, duke diskutuar në organet e veta dhe jo duke ushqyer apetitet e atyre që e kanë urryer gjithmonë këtë parti,” përfundon Guri.