Nga Halil Geci
Guxo dhe rugovistët: fuqia që po riorganizon politikën e Kosovës
Guximtarët që sfidojnë status quon dhe që sjellin ndryshimin e vërtetë politik në atdheun tonë të shtrenjtë.
Përkushtimi im ndaj atdhetarëve dhe rugovistëve të përjashtuar nga LDK-ja, si dhe mbështetja ime pa rezervë për lidershipin guximtar të Donika Gërvallës dhe Vjosa Osmanit, ka treguar rezultate konkrete.
Rugovistët e përjashtuar kanë pasur arsye të forta për t’u bashkuar me Partinë Guxo, sepse vetëm me guxim mund të sfidosh të kaluarën dhe të sjellësh fat dhe ndryshime të prekshme për vendin tonë.
Në një kohë kur LDK-ja duket e përçarë dhe e privatizuar nga interesat individuale, Partia Guxo, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, ka ofruar një platformë të hapur për rugovistët e përjashtuar dhe të nënçmuar.
Kjo parti ka luajtur një rol të rëndësishëm në qeverisjen e vendit, ku deputetët e saj, ministri në detyrë i Bujqësisë Faton Peci, tani i zgjedhur kryetar i Mitrovicës së Jugut me votat e qytetarëve, si dhe zv/kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë dhënë një kontribut të dukshëm brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare.
Partia Guxo është e vetmja parti që nuk është përfshirë në afera korrupsioni, krime apo skandale, dhe ka treguar transparencë dhe integritet në çdo hap të saj.
Kryeministri Kurti gjithashtu meriton falënderime për hapjen e dyerve për bashkëqeverisje me rugovistët e Partisë Guxo, duke siguruar rezultate të prekshme në çdo nivel, përfshirë edhe veriun e vendit.
Unë do të vazhdoj të mbështes pa rezervë Partinë Guxo, Donika Gërvallën dhe gjithë ekipin e saj, si dhe presidenten Vjosa Osmani, e cila ka sjellë një ngjyrë të re politike në Kosovë dhe ka përfaqësuar vendin tonë me dinjitet në arenën ndërkombëtare.
Për rugovistët e përjashtuar dhe të nënçmuar, Partia Guxo ka ofruar mundësinë të bashkohen dhe të mos shpërndahen në parti të tjera. Ju siguroj me zemër se do të keni gjithmonë mbështetjen time dhe të rugovistëve, si dhe të mbi katër milionë njerëzve që më përcjellin dhe më mbështesin.