Partia thotë se votat janë pranuar jashtë afatit ligjor dhe se si pasojë ka humbur një mandat në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar anulimin e më shumë se 20 mijë votave të ardhura me postë, të cilat sipas saj janë pranuar pas afatit ligjor dhe si të tilla janë të pavlefshme.
Në ankesën e siguruar nga KOHA, PDK-ja thekson se sipas Ligjit për Zgjedhje, votat me postë pranohen vetëm “deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00”. Sipas partisë, më 2 janar janë pranuar rreth 8,200 pako me fletëvotime, ndërsa më 5 janar rreth 11,900 të tjera. Pas vlerësimit, nga to janë miratuar rreth 16 mijë, ndërsa të enjten ka nisur numërimi edhe i 3,185 pakove të tjera.
“Pra bëhet fjalë për mbi 20,000 pako me fletëvotime që janë tërhequr dhe proceduar pas afatit ligjor, pa asnjë bazë normative në ligj”, thuhet në ankesën e PDK-së.
Kjo parti ka vlerësuar se si pasojë e numërimit të këtyre votave ka humbur një ulëse në Kuvend, duke rënë nga 23 në 22 mandate, dhe ka paralajmëruar se ekziston rreziku të humbasë edhe një tjetër.
“Një zhvillim i tillë do të ishte pasojë direkte e një procesi të paligjshëm administrativ dhe jo e një vullneti të shprehur në përputhje me ligjin nga trupi elektoral. Ndërhyrja e Panelit është e domosdoshme dhe urgjente për të parandaluar pasoja të pakthyeshme juridike dhe institucionale”, thuhet tutje në ankesë.
Ndërkohë, Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, ka reaguar ndaj kësaj ankese duke akuzuar PDK-në se po ankohet kundër votave të mërgatës pasi, sipas tij, dështuan ta pengonin votimin me postë.
“Vetë e votuan procedurën dhe afatet në KQZ, e tani kur mërgata u vetorganizua dhe solli fletëvotimet nga gjithë bota, ky fakt u djeg. Harrojnë se humbjen nuk e kanë nga mërgata, por nga veprimet dhe vendimet e dëmshme të vet PDK-së”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Sipas rezultateve të deritanishme të votave me postë, PDK-ja renditet e treta me 9.14 për qind, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje prin me mbi 72 për qind dhe LDK-ja është e dyta me 10.27 për qind.
Në nivel të përgjithshëm, PDK-ja është e dyta me 20.24 për qind, LVV-ja prin me mbi 51 për qind të votave, ndërsa LDK-ja është e treta me 13.26 për qind.
Sa i përket ulëseve në Kuvend, Vetëvendosje ka siguruar 57 mandate, PDK-ja 22, ndërsa LDK-ja 15.