Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksanër Vuçiç, janë pajtuar të hënën në Bruksel për një marrëveshje bazuar në propozimin evropian, duke e konsideruar si marrëveshje të përkoshme që ka në qendër Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Nga marrëveshja finale me njohje në qendër – në marrëveshje të përkohshme me Asociacion në qendër”, kanë vlerësuar të martën nga PDK-ja përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë zyrtare të rrjetit social Facebook
Nga PDK-ja e kanë akuzuar Kurtin se e ka sjellur procesin e dialogut pikërisht aty ku ka synuar Serbia, pra nga “zëvendësimin e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër me një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër”.
“Partia Demokratike e Kosovës e cilëson si mundësi të humbur për Republikën e Kosovës pranimin e propozimit evropian nga ana e Kryeministrit Kurti, i cili dokument është i pamjaftueshëm për arritjen e qëllimeve shtetërore të vendit tonë”.
Ndërkaq, kanë shtuar se përmes pranimit të propozimit evropian, për fat të keq, sipas PDK-së, ka ndodhur “ajo që PDK kishte paralajmëruar disa herë gjatë javëve dhe muajve të fundit”.
“Kryeministri Kurti hoqi dorë nga qëndrimet dhe kushtet e tij para interesave personale dhe ambicieve për të qëndruar në pushtet. Ndërkaq, si rrjedhojë, Kosova humbi njohjen e ndërsjellë me Serbinë, ndërsa fitoi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”.
Gjithashtu, nga PDK janë deklaruar se në propozimin zyrtar, tanimë të pranuar nga palët, nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO dhe as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.
“Përkundrazi, aty flitet për kompetenca të zgjeruara për komunitetin serb, që rrezikojnë të qojnë drejt autonomisë substanciale dhe, po ashtu, flitet për statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, që rrezikon të qojë drejt ekstra-territorialitetit”.
Po ashtu, ata kanë potencuar se për gjatë dy viteve, PDK-ja vazhdimisht e ka mbështetur Kurtin në raport me Serbinë, por edhe e ka inkurajuar që të koordinohet me aleatët ndërkombëtar dhe gjithashtu, “i ka ofruar edhe propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër”.
“Për fat të keq, Kryeministri Kurti injoroi çdo ndihmë e këshillë që i është dhënë dhe kokë më vete e në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut”.
Ndryshe, të hënën e 27 shkurtit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e kanë pranuar planin evropian, mirëpo, marrëveshja nuk është nënshkruar zyrtarisht, por si e tillë vetëm është pranuar nga palët.
Po ashtu, është zbuluar edhe zyrtarisht dokumenti i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila përmban gjithsej 11 nene, ndërsa takimi i radhës në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it pritet të ndodhë më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.
Kjo marrëveshje parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë, por nuk përmendet njohja reciproke.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com