Lajme

Peci paditë Haxhiun, Buzhalën, Mehmetajn dhe Pandurin, Sylen— shkak “exit pollet”

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:50 / 15 October 2025

Kandidati për Mitrovicën e Jugut, Faton Peci, njofton kallëzim penal ndaj disa gazetarëve dhe analistëve për cenim të votës së lirë dhe manipulim të procesit zgjedhor.

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj disa figurave publike, përfshirë Baton Haxhiun, Berat Buzhalën, Lirim Mehmetajn dhe Ermal Pandurin, me arsyetimin se kanë ndikuar në mënyrë të paligjshme në procesin zgjedhor përmes publikimit të një “exit poll”-i të paautorizuar dhe manipulues.

Në njoftimin e tij, Peci thekson se kallëzimi penal do të bëhet për “Cenim të përcaktimit të lirë të votuesve” (neni 210) dhe “Falsifikim të rezultateve të votimit” (neni 216) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas analizës së thellë të procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut dhe shqyrtimit të dëshmive e argumenteve të manipulimeve dhe ndikimit të palejueshëm e kriminal në votën e qytetarëve, njoftojmë opinionin se do të dorëzojmë kallëzim penal ndaj personave të mëposhtëm:
Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj, Visar Imeri, Ilir Mirena, Valon Syla, Ermal Panduri, Valon Feka, Shkumbin Kajtazi dhe të tjerë për dyshimin e bazuar të Cenimit të Përcaktimit të Lirë të Votuesve, të sanksionuar me nenin 210 dhe të Falsifikimit të Rezultateve të Votimit sipas nenit 216 të Kodit Penal të Kosovës”, ka shkruar Peci.

Sipas tij, gjatë ditës së zgjedhjeve, disa media dhe individë të lidhur me grupe të interesit kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar duke shpërndarë informacione të pavërteta, akuza të rreme dhe rezultate të fabrikuara, me qëllim që të krijonin konfuzion tek votuesit dhe të ndikonin në rezultatin përfundimtar.

“Publikimi i atij të ashtuquajturi ‘exit poll’ ishte i paligjshëm dhe i orkestruar për të ndikuar në procesin zgjedhor në Mitrovicë. Qëllimi ishte të devijohej vullneti i qytetarëve,” shtoi Peci.

Ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të prezantohen dëshmi dhe fakte shtesë që, sipas tij, vërtetojnë veprimet e kundërligjshme të individëve të përfshirë.

Në fund, Faton Peci u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të trajtojnë me prioritet këtë çështje dhe të garantojnë mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Mitrovicës.

“Transparenca dhe mbrojtja e votës janë parime që na udhëheqin. Çdo tentim për të manipuluar vullnetin e qytetarëve do të ketë përgjegjësi ligjore,” ka përfunduar Peci.