Analisti Faton Mehmeti, deklaron se konfiskimi i pasurisë së pajustifikuar, mbetet sfidë kryesore për prokurorinë.
“Është vështirë të ndodh konfiskimi i pasurisë e rregulluar me dokumente, ata që ndërtuan vila e blen tokë, shumicën nuk e kanë në emrin e tyre, sfidë kryesore kjo për prokurorinë. S’do mend se pas tyre fshihen njerëz të fuqishëm të politikës, kryesisht nga paslufta ata që ishin në pushtet vodhën çdo gjë që mundën”, thotë Mehmeti.
Por kush janë “peshqit” e mëdhenj që duhet të arrestohen?
“Peshqit e mëdhenj janë kryesisht njerëz të profileve të mëdha; president, kryeministra, ministra etj. Për të kuptuar se kush ka vjedhur, kujt duhet konfiskuar pasuria, të bëhet vlerësimi i pasurive të të gjithë atyre që kanë qenë në pushtet dhe potencialisht të hulumtohet në emër të kujt janë pronat e vjedhura”, thekson Mehmeti, sipas të cilit, mos konfiskimi i pasurisë, do të ishte dështim për qeverinë Kurti.
“Kjo është ndër sfidat kryesoreë të Kurtit, premtim i tij, nëse nuk e zbaton do të jetë dështim, me sfidat e mëdha që e karakterizojnë një gjë të tillë”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.