Sulmet e reja të Albin Kurtit ndaj Marrëveshjes së Brukselit dhe Asociacionit të Komunave Serbe në prag të nëntë vjetorit të nënshkrimit të këtij dokumenti konfirmojnë se në Prishtinë, në krye me Kurtin, nuk ka vullnet për të përmbushur obligimet, tha Petar Petkovic, drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.
Sipas Petkoviqit, marrëveshja e Brukselit nuk është leckë e Kurtit me të cilin ai mund të disponojë dhe të veprojë si të dojë, por një dokument ligjërisht i obligueshëm, të cilin është i detyruar ta zbatojë nga shkronja e parë deri në të fundit.
“Dështimi për të përmbushur dispozitat më të rëndësishme të Marrëveshjes së Brukselit në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, nga bashkësia ndërkombëtare si garantues e zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar, duhet të sjellë pasoja vendimtare për Prishtinën dhe Albin Kurtin, në vend si ti ofrohet mundësia në Forumet ndërkombëtare për të minuar dialogun”, tha Petkoviq.
Ai shtoi se respektimi dhe zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme është garantuesi dhe baza e vetme për normalizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dhe se Beogradi deri më tani ka dëshmuar të jetë një partner i besueshëm në këtë fushë, ndërsa Prishtina, e udhëhequr nga Kurti, po rrëshqet drejtë ekstremizmit radikal, në të cilin marrëveshjet nuk respektohen, por shemben.
“Sado që Kurti të përpiqet të forcojë pozicionin e tij të dobësuar politik me sulme ndaj Beogradit, serbëve dhe me përplasje me Asociacionin, ai nuk do të rikthejë besimin e lëkundur të qytetarëve që duan paqe dhe përparim ekonomik, e jo konflikte”, tha Petkoviq.
Ndryshe, Kurti ka deklaruar për gazetën greke Kathimerini se Asociacioni i Komunave Serbe shkel “frymën dhe tekstin e Kushtetutës”.