Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, përmes një konferencë për media ka folur edhe procesi zgjedhor në pjesën veriore të vendit.
Ai ka thënë se nga 45.096 votues të regjistruar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, në zgjedhjet e sotme kanë votuar 1.566 shqiptarë dhe 13 serbë.
Petkoviq saktësoi se nga 13 serbët që kanë dalë sot në qendrat e votimit, dy kanë votuar në Mitrovicën e Veriut, shtatë në Leposaviq, katër në Zveçan ndërsa në Zubin Potok nuk ka votuar asnjë person i nacionalitetit serb.
“Do të shtoja se kësaj radhe 449 shqiptarë kanë votuar më pak se në zgjedhjet e kaluara. Rezulton se nuk kanë qenë vetëm serbët që i bojkotuan zgjedhjet antidemokratike të Kurtit, por me sa duket edhe shqiptarët i bojkotuan ato zgjedhje” .
Më tutje, Petkoviq ka thënë se Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe të gjithë ata që me muaj të tërë kanë kërkuar këto zgjedhje, kanë përjetuar “një disfatë dhe fiasko të plotë”.
“Fituesi i vërtetë është populli serb në Kosovë, i cili i bojkotoi plotësisht këto zgjedhje” – tha Petkoviq.
Sipas të dhënave të KQZ-së, mbi 1 mijë e 500 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.