Lajme

Planet për atentate, opozitarët thonë se s’frikësohen

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:39 / 19 January 2023

Raporti: Saranda Aliu/Kanal10

Pas njoftimit për planifikimin e atentateve ndaj krerëve e deputetëve të LDK-së e PDK-së, këta të fundit kanë thënë se nuk ndihen të frikësuar dhe se këtë rast do ta lënë në dorë të organeve të drejtësisë. Njohësit e sigurisë dhe drejtësisë thonë se në raste kur ka plane të tilla ndaj përfaqësueseve politik, nuk lëshohet urdhër mbrojtje e veçantë.

Dy kryetarë të dy partive opozitare si dhe katër deputetë, kanë thënë të jenë njoftuar se ndaj tyre është planifikuar atentat.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetët e këtij subjekti politik, Armend Zemaj, Arben Gashi e Avdullah Hoti janë zyrtarët e partisë opozitare që tashmë e kanë denoncuar një kërcënim të tillë.

Përveç tyre, kërcenime të tilla kanë thënë se kanë marr edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe deputetja Ganimete Musliu.

Fillimisht për planifikimin e këtij atentati, kishte raportuar një ditë më parë gazeta10, derisa në një intervistë për emisionin Prime Time, deputeti Armend Zemaj, ka qenë i pari që ka dhënë detaje lidhur me këtë rast.

Për planet e atentateve, kanë folur gjatë së enjtes edhe politikanët e tjerë, të cilët kanë thënë se janë njoftuar për këto kërcënime dhe se nuk ndihen të frikësuar, duke thënë se do ta presin punën e organeve të hetuesisë e drejtësisë.

Kurse, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, bashkë me deputeten e kësaj partie, Ganimete Musliu, kanë konfirmuar se janë njoftuar nga Policia e Kosovës se janë përmendur në të njëjtin rast me deputetët e LDK-së.

Krasniqi e Musliu kanë thënë se nuk ndihen të frikësuar dhe se iu besojnë organeve të sigurisë dhe drejtësisë.

Ndërkaq, avokati Emrush Kastrati ka thënë se në raste të tilla ndërmerren masa për mbrojtje të veçantë, por vetëm atëherë kur rrezikohet jeta e përfaqësuesve të shtetit, mirëpo jo edhe të atyre politikë.

Sipas njohësve të sigurisë, Kosova ka institucione të mjaftueshme për ofrimin e mbrojtjes për zyrtarët ndaj të cilëve ka informacione se janë planifikuar atentate.

Kërcënimi është denoncuar nga organet gjermane të sigurisë, të cilat kanë rënë në gjurmë të një përgjimi ku flitet për një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të kësaj partie, e që pastaj janë njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Mbrëmjen e së mërkurës, Policia e Kosovës ka njoftuar se është hapur rast i kanosjes dhe se janë marr masat e nevojshme.