Lajme

Politologu: Zgjedhja e Presidentit, test i pjekurisë politike në Kosovë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
9:34 / 28 February 2026

Politologu dhe analisti politik Fahredin Majkovci vlerëson se procesi i zgjedhjes së presidentit në Kosovë nuk është vetëm një procedurë formale, por një provë serioze për funksionimin e skenës politike.

Sipas tij, korniza kushtetuese dhe ligjore e bën këtë proces të varur nga bashkëpunimi ndërpartiak.

“Zgjedhja e Presidentit në Kosovë nuk është thjesht një procedurë votimi, por një test i pjekurisë politike, sepse ky proces kërkon konsensus dhe bashkëpunim ndërpartiak,” thekson Majkovci.

Ai nënvizon se kërkesa për praninë e të paktën 80 deputetëve në Kuvendi i Kosovës e zhvendos theksin nga numrat tek dialogu politik.

“Kjo do të thotë se legjitimiteti i Presidentit nuk buron vetëm nga vota, por edhe nga aftësia për të ndërtuar marrëveshje politike,” shprehet ai.

Majkovci paralajmëron se mungesa e këtij konsensusi mund ta çojë vendin drejt një skenari të padëshiruar.

“Në mungesë të konsensusit, vendi përballet me zgjedhje të parakohshme. Duke parë polarizimin aktual, ky opsion nuk duket më teorik, por real,” deklaron ai.

Duke iu referuar afatit të 4 marsit për zgjedhjen e presidentit, ai kritikon qasjen e deritanishme të partive politike.

“Reagimi i pozitës dhe opozitës deri tani duket më shumë deklarativ sesa substancial. Në vend të iniciativave konkrete për ndërtimin e konsensusit, kemi parë vetëm takime formale dhe deklarata të përgjithshme,” vlerëson Majkovci.

Sipas tij, mungesa e një emri konkret për postin e presidentit tregon për një situatë të paqartë politike.

“Fakti që ende nuk ka një emër konkret në horizont tregon ose mungesë marrëveshjeje, ose kalkulime të qëllimshme politike për ta shtyrë procesin deri në momentin e fundit,” përfundon ai.