Lajme

“Popujt mund të vetëvendosin, Kosova është precedent i krijuar nga GJND” – Putini në mënyrë indirekte e njeh pavarësinë e vendit tonë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:03 / 19 June 2025

Rusia pranon indirekt pavarësinë e Kosovës. Ose thënë më saktë, presidenti Vladimir Putin, njeh vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ligjëroi pavarësinë, vetëm për të justifikuar aneksimin e Donjeckut dhe Luhanskut nga Ukraina, si dhe për të sulmuar perëndimin.
Gjatë një bisede me gazetarë ndërkombëtar në Kremlin, lideri rus tenton të ndryshojë narrativën se ishte ai që nisi luftën, duke përmendur të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së për të drejtën e popujve për vetëvendosje.

“A ishte kjo pjesë e vendit e detyruar të kërkonte leje nga autoritetet qendrore, nga Kievi, apo jo? Jo. Ekziston një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit ky ishte një precedent i krijuar nga Kosova. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi shprehimisht: nëse një pjesë e vendit merr një vendim për t’u shkëputur, nuk është e detyruar të kërkojë pëlqimin e autoriteteve qendrore për këtë çështje. Kaq”, tha Putin.

Madje shkon deri aty sa luan viktimën duke thënë se për 8 vite nuk e njohu pavarësinë e Donbasit, sepse sipas tij, kërkonte një marrëveshje me Ukrainën. Në fund pretendon se u detyrua ta pranonte pavarësinë dhe t’i dërgonte rajonit ushtrinë në ndihmë. Por sërish heq paralele me rastin e Kosovës.

“Dhe kur flas për precedentin e Kosovës, më kujtohet çfarë ndodhi atëherë. Pastaj vendet e Europës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara ushtruan presion mjaft serioz mbi gjykatën e OKB-së – dhe ajo mori këtë vendim: kur një pjesë ndahet, ajo pjesë nuk është e detyruar t’i drejtohet autoriteteve qendrore për pëlqim. Kaq është! A e kuptoni? Ata bënë gjithçka me duart e tyre. Dhe pastaj thonë: ‘Si mundët?’ Kështu është. Juve ju lejohet, por të tjerëve jo? Nuk mund të jetë kështu. Rregullat duhet të jenë të barabarta. Vetëm në këtë mënyrë ato mund të jenë të qëndrueshme, dhe kjo është një garanci sigurie për të gjithë, dhe jo në kurriz të të tjerëve”, shtoi Putin.

Kjo është hera e parë që Rusia, apo një zyrtar i lartë i saj, e pranon si të ligjshëm dhe të drejtë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.