Opinionisti Dedë Preqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” përmendi faktin se si qeveritë në Kosovë që nga viti 2011 nuk kanë arritur ta përfundojnë as edhe një mandat të plotë.
Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak se partitë në të kaluarën kanë bërë koalicione për interesa partiake dhe jo bazuar në parime politike.
“Duke filluar që nga viti 2001, kur janë mbajtur zgjedhjet e para të pas luftës në Kosovë, do të shohim leverdi të tilla, ku asnjë qeveri e vendit nuk ka arritur ta përfundojë mandatin e vet kushtetues deri në fund, por përmes mocionit të mosbesimit kanë ardhur deri te dorëheqja apo deri te zgjedhjet e parakohshme, siç e lejon edhe Kushtetuta e këtij vendi.
Shkaku i mos përfundimit të mandateve të tyre është e natyrave të ndryshme, por në realitet gjithnjë ka qenë si pasojë e mospajtimeve në mes koalicioneve, të cilat kanë sjellë rezultate të tilla, duke mos rënë në ujdi apo u akorduar në mes vete në udhëheqjen e pushtetit, sepse shumica e koalicioneve nuk janë formuar në baza parimore, por më shumë për interesa partiake dhe klanore, vetëm sa për të pasur rrolin e tyre në pushtet”, deklaroi opinionisti
Po ashtu, Preqi vlerëson se tani tri partitë opozitare (PDK, LDK dhe AAK) e kanë marrë seriozisht që ta rrëzojnë qeverinë Kurti, por që gjasat janë të vogla pasi mungojnë numrat.
“Dhe, sa i përket qeverisë aktuale në udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, është interesant se, që në fillim të marrjes së mandatit të tij, është përshpëritur nga opozita e sotme, që sa më parë të bëhen zgjedhje të reja, sikur nuk do të pajtoheshin me qeverinë aktuale dhe kryeministrin Kurti, sepse ishin mësuar me pasë dhe me keqpërdorë pushtetin për të realizuar qëllimet e tyre klanore dhe partiake.
Dhe tani si duket tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK, sikur e kanë marrë me seriozitet, që të krijojnë mocionin e mosbesimit, për ta rrëzuar qeverinë Kurti, por vetëm e kanë një hall të «vogël», sepse kanë dyshim në forcat e veta, që do të thotë se, interesimi është shumë i madh por mundësitë janë të vogla kur bëhet fjalë për numra”, theksoi ai.
Në vazhdim, opinionisti kritikoi opozitën dhe qasjen e sjelljet e saj, sa që tha se është bërë e gërditshme, ku për skandalet e tyre të kaluara po tenton ta fajësojë Kurtin dhe qeverinë e tij.
“Termi për zgjedhje të reja, që po e kërkon opozita e ka një domethënie të arsyeshme dhe të pa arsyeshme, dhe me të parën arsyetohet opozita, së cilës nuk i intereson fare nëse qeveria e Kosovës, sot po përballet me trysnitë e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për të shtensionuar situatën në veri të vendit, përfshirë këtu edhe masat ndëshkuese, të cilat Kosova, nuk i ka merituar si të tilla, sepse vetëm po i mbështet objektivat paqësore dhe ligjore si dhe ruajtjen e sovranitetit në tërë territorin e vet.
Kjo opozitë nuk po e vëren vetën sa është bërë aq e gërditshme dhe sjelljet i ka shumë primitive, e cila kur ishte dje në pushtet bëri mrekullitë e dreqit, duke i fal tokë pa llogari Malit Zi, duke nënshkruar «Zajednicën» pa u konsultuar mirë se qysh do i del rezultati, shiti e vodhi pasuri publike e shtetërore dhe kjo opozitë e sotme e votoi Gjykatën Speciale, në Hagë, që po përballen sot njerëzit kryesor të UÇK-së, dhe tani për të gjitha këto skandale, do të fajësohet qeveria aktuale dhe Albin Kurti, duke u kërcënuar edhe me jetë”, nënvizoi Preqi.
Më tej, ai konsideron se opozita duhet ta ketë parasysh deklaratën e Konjufcës, derisa tha se duhet të matet mirë dhe t’i provojë forcat e veta.
“Edhe kryetari i Kuvendit, z. Glauk Konjufca, nuk e kundërshton shkuarjen në zgjedhje të reja, mirëpo sipas tij, ligjet e shtetit janë shumë më tepër se një tërësi normash që rregullojnë sjellje publikisht të pranuara, përtej ligjit qëndron diçka e p prekshme, e cila i diktohet ndërgjegjes nëse ky ligj shkelet.
Mirëpo, z.Konjufca, e përdor edhe një lloj metafore, se nëse opozita i siguron numrat për mocion, nuk është e çuditshme, sepse do të ishte edhe e shëndetshme që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, por sipas tij, lufta do të jetë vetëm për vendin e dytë dhe të tretë, që sipas kryetarit të Kuvendit, vendi i parë është i «rezervuar», prandaj opozita, duhet të matet mirë dhe t’i provojë forcat e veta, por është dikush tjetër, që do të vendos dhe vulos, vullneti i të cilëve shprehet në një formë apo tjetër, pra populli në fund të fundit përbënë hallkën kryesore, për t’i dhënë besimin dhe pëlqimin e mandatarit”, shpjegoi opinionisti.
Ndër të tjera, Preqi, parashikoi se në vend të parë padyshim që do përfundoj LVV me Listën Guxo, kurse në vend të dytë do të vjen LDK, të tretin PDK, dhe AAK, nuk do e kalojë pragun.
“Janë bërë sondazhe të ndryshme deri më tani, duke marrë parasysh përcaktimin dhe vlerësimet e kapaciteteve partiake në Kosovë, nuk ekziston një botë e «veçantë» dhe kur një dëshirë kryeneqe arrinë të krijojë diçka të ngjajshme, që në një farë mënyre e shndërron organizimin shoqëror në një bashkëjetësë të trazuar, atëherë pse duhet të mbahen zgjedhje të reja, kur të njëjtit ishin deri dje në pushtet dhe nuk ndryshuan asgjë, vetëm e kullotën dhe e zhvatën pasurinë e këtij vendi, sikur të ishte çdo gjë e huaja dhe jo pasuri dhe tokë e këtij populli.
Ashtu kështu, nëse ia ‘pi sorra’ mendjen opozitës, që të siguroj numrat për mocion, që të rrëzohet qeveria Kurti, nuk bëhet kiameti, por VV, bashkë me listën Guxo, do të fitojnë përsëri dhe do të rimarrin pushtetin, sepse do t’i votojë vetë populli, ndërsa në vend të dytë do të vjen LDK, të tretin PDK, dhe AAKk, nuk do e kalojë pragun”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.
Ndryshe, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti është e gatshme për zgjedhje, duke thënë se tashmë e kanë edhe programin e edhe projeksionin buxhetor.
Haziri ka thënë se LDK-ja garon vetëm për vendin e parë, duke iu kundërpërgjigjur kështu deklaratës së Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili tha se edhe nëse ka zgjedhje, gara do të jetë për vendin e dytë.
“Ne jemi LDK, një LDK e cila po rikthehet. Rikthimi i vogël veçse ka ndodhë në pushtet lokal, e rikthimi i madh do të ndodhë në qeverisje. LDK-ja garon vetëm për vendin e parë. Ne e kemi identifiku fajin tonë pse kemi dalë parti e dytë e tretë. Sipas sondazheve, LDK-ja është rikuperu”, shtoi Haziri.