Lajme

Presidentja e Kosovës edhe përfaqësuese e Bordit të Paqës Botërore

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
9:32 / 23 January 2026

NGA: DEDË PREQI

Kuptimi i termit “paqe” është shumë domethënës, për faktin se ekzistenca e njeriut nuk ka kuptim pa këtë nocion, përmes të cilit ai e ndërton jetën dhe të gjitha strukturat funksionale të saj.

Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të kanë një vazhdimësi permanente dhe të shkëlqyer, pikërisht edhe përmes këtij këndvështrimi, sipas të cilit populli ynë e kupton rolin e mikut të mirë, por duhet të jemi të gatshëm edhe ne që diçka të japim nga vetja.

Sot, në botën aktuale dhe globale ekziston një zinxhir i pandërprerë rreziqesh që kërcënojnë jetën njerëzore, siç janë mungesa e ushqimit, mungesa e energjisë, inflacioni dhe shumë elemente të tjera që vijnë si pasojë e ndryshimeve natyrore, të cilat në një mënyrë mund të tejkalohen dhe të sanohen.

Por elementi më i rrezikshëm që godet jetën dhe zhvillimin e qenies njerëzore në të gjitha aspektet janë luftërat, që zhvillohen në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme dhe që e shkatërrojnë botën në tërësi, edhe përtej asaj që njeriu e percepton.

Prandaj, largpamësia njerëzore bën përllogaritjet e veta dhe duhet të rrisë nivelin dhe kapacitetet globale për të gjetur forma dhe mekanizma efektivë për parandalimin apo zvogëlimin e këtyre rreziqeve.

Mjafton të shohim me kujdes edhe rolin e presidentit të SHBA-ve, z. Donald Trump, i cili merr iniciativën e një misioni shumë të guximshëm për të krijuar një Bord të Paqes, që në këtë rast lidhet me Gazën, militantët e Hamasit, si dhe stabilizimin e rajonit.

Presidenti i SHBA-ve, në këtë mision paqeje, ka ftuar shumë përfaqësues dhe liderë botërorë, ndër ta edhe Shqipërinë dhe Kosovën, me synimin për ndërtimin e një bote më të sigurt dhe paqësore, ku njeriu ta shijojë jetën pa brenga dhe kërcënime.

Presidenti i SHBA-ve, z. Donald Trump, do të përzgjidhte edhe ekipin e këtij Bordi të Paqes, duke e ftuar në këtë mision paqësor edhe Kosovën, në krye me presidenten Vjosa Osmani, çka rikonfirmon dhe përforcon marrëdhëniet e palëkundura mes SHBA-ve dhe Kosovës.

Kosova, në këto momente, si gjithmonë do të ndihet e nderuar dhe e respektuar nga SHBA-të, dhe në këtë rast, me ftesën e presidentes Vjosa Osmani, sikur gjen njeriun e duhur, ndoshta edhe më të duhurin, që ndien dhe çmon rolin dhe vlerën e paqes.

Kosova ka një histori të veçantë dhe të hidhur, duke iu referuar së kaluarës jo shumë të largët, që e përbashkon këtë vend rreth ngjarjeve të tilla; dhe për ta nxjerrë nga një situatë e tillë e rëndë, meritore janë vetë SHBA-të me aleatët e tyre.

Prandaj, kjo ftesë e presidentes Vjosa Osmani ka një vlerë shumë të madhe, si formë e meritave njerëzore, që shpaloset sipas prirjeve dhe nismave që përkojnë me kriteret e vlerave që lidhen me harmoninë dhe unitetin e një populli dhe vendi, pa dallim etnie dhe feje.

Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani, jo vetëm në këto rrethana që përcaktojnë vlera qenësore dhe njerëzore, por edhe në veprimtarinë e saj më të gjerë brenda vendit dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, renditet si presidente e shtetit që gëzon besimin e qytetarëve dhe e meriton pa asnjë dyshim edhe një mandat tjetër.