Lajme

Presidentja liron nga detyra ish-gjyqtarët serbë, Stevanoviq e Kabashiq (VIDEO)

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:58 / 24 October 2023

Lilijana Stevanoviq, zyrtarisht nuk është më pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë. As Nikolla Kabashiq.

Siç merr vesh Klan Kosova, për ish-kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe ish-kryetarin e Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, tashmë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka lëshuar dekret për lirim nga detyra.

Vendimi i Presidencës vjen pas kërkesës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për t’i shkarkuar Sevanoviqin e Kabashiqin për shkak të pjesëmarrjes në organizimet politike të Listës Serbe.

Asnjëri nga ish-gjyqtarët serbë nuk është ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin ndëshkues të KGjK-së, i cili veçse kishte pasur aktdorëheqjet e tyre, të dorëzuara në formë elektronike që në nëntor të 2022-ës.

Lilijana Stevanoviq e Nikolla Kabashiq ishin larguar vullnetarisht nga pozitat e tyre bashkë me qindra serbë tjerë që dhanë dorëheqje masive në gjyqësor, prokurori e polici.

Deri tash Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial nuk kanë pranuar zyrtarisht asnjë nga dorëheqjet tjera.

Ndërkohë gjyqtarja serbe, për 28 ditë pune kishte qenë jashtë detyrës si kryetare e Gjykatës në Mitrovicë gjatë marsit dhe prillit të 2022-ës.

Ndaj saj, më 24 mars Këshilli Gjyqësor pati vendosur masë disiplinore për të njëjtën vepër që tash u shkarkua zyrtarisht.

Bashkë me Dragica Jakovleviq dhe Lidija Vuçuroviq, kishin marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, ku qenë të pranishëm politikanë të Listës Serbe e përfaqësues të strukturave paralele në Kosovë. /Klankosova.tv