Lajme

Prishtina, qytet ‘fantazmë’ të shtunave: Big Brother i Shqipërisë po e ‘sosë’ këtë të Kosovës, gastronomët në hall

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
1:51 / 7 February 2023

Të premtet e të shtunat mbrëma tradicionalisht kanë qenë netë të cilat të gjithë i kanë vlerësuar si dinjitoze për shfrenim (pije e kërcim), por diçka ka ndryshuar kohëve të fundit në Prishtinë.

Një arsye pse njerëzit preferojnë të premtet për dehje e qejf është se nuk duan të ndihen keq deri kur të vijë e hëna. Posa t’i mbushni, ta zëmë, 25-vjet, aftësitë tuaja për t’u rikuperuar nga dehjet e tepërta shkojnë duke u reduktuar. Pastaj filloni të ndjeni spektrin e tmerrshëm të ‘hangoverit’ dyditor.

Kështu që të dalurit të premten mbrëma ose të shtunën të jep luksin të qëndroni të shtrirë ditën pasuese dhe të shndërroheni në zombi përgjatë tërë ditës, derisa të filloni të merrni këmbët si duhet, para se e hëna t’iu zë “saksalep”. Për më tepër, mund të hani si duhet të dielën, dhe të jeni i kthejllët si uji i kroit të hënën në mëngjes.

Sidoqoftë, kohëve të fundit kemi qenë dëshimtarë të ndërtimit të njëfarë fenomeni të çuditshëm në Prishtinë, me gjasë, edhe në pjesë tjera të Kosovës. Arsyeja? Epo, duket se ka të bëjë me Big Brother, nëse mendojmë përtej fenomeneve si rritja e çmimeve dhe krizat financiare, të cilat nuk është se kanë luajtur rol monumental në ndaljen e njerëzve të mos bëjnë qejf të premteve e të shtunave mbrëma në të kaluarën.

Asgjë e premtja, nëse marrim parasysh të shtunën dhe pamjet gati të një qyteti “fantazmë”, në kohën kur njerëz të dehur e gjysmë të dehur supozohet të sillen nëpër rrugët e qytetit.

“Vdekje për gastronomi është e shtuna,” më thotë Granit Hyseni, menaxher i një lokali në rrugën që quhet “Kafet e Vogla”.

“E premtja po është full valla, s’po lun e premtja, a e shtuna domethënë vdekje. Jo veç te na, po krejt qyteti vërehet që është i vdekur shkaku i Big Brother. Luizi n’qafë e ka marrë gastronominë. Gjithë domethënë, ka një muaj që e shtuna është palidhje,” më thotë tutje ai.

Ndërkohë, po del të jetë se të premteve (kur është prajmi i Big Brother Kosova), jemi paksa më tolerant për të frekuentuar kafenetë e klubet e natës, gjithnjë në bazë të asaj çka thotë personi legjitim për të folur më lart, Granit Hyseni.

Si për ta nënvizuar, edhe një prej pronarëve të klubit “Zone”, Petrit Kllokoqi, pati një rekomandim interesant për gastronomët e tjerë.

“A çohmi krejt gastronomët ia pagujmë çmimin Luizit se na kalbi,” shkroi ai në një status, në të cilin shumë lehtë ka mundur emrin e Luizit ta zëvendësojë me të Stresit apo Xhulit, por duket se të premtet mbrëma për të nuk janë aq problematike sa të shtunat.

Andaj, ja ku e keni; Big Brother i Shqipërisë ‘po e sosë’ me shikueshmëri këtë të Kosovës dhe nuk ju duhet ndonjë ekspert të dhënash e algoritmash për të ardhur në këtë përfundim. Thjesht dilni një të premte dhe të shtunë mbrëma, dhe krahasoni këto dy ditë me periudhën para se të fillonin këto dy “reaity shoë”.

Natyrisht, është mënyrë paksa primitive dhe amatore për të bërë një matje të tillë por, gastronomët si Hyseni e Kllokoqi, e konfirmojnë si një kredibile me reagimet e tyre më lart.