Hetimi kundër Milan Radojiçiqit dhe të tjerëve të cilët shkaktuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, po vazhdon në Beograd.
Kështu ka bërë të ditur Prokuroria e Lartë Publike, e cila ka shtuar se janë në fazën e sigurimit të provave, shkruan N1, transmeton lajmi.net.
Radojiçiq dyshohet se së bashku me persona të tjerë kanë kryer veprat penale të prodhimit, posedimit, mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse dhe krime të rënda të tjera kundër sigurisë së përgjithshme.
Ka kaluar pak më shumë se një muaj që kur Radojiçiq u mor në pyetje nga Prokuroria e Lartë Publike.
Në seancën e 3 tetorit, ai mohoi kryerjen e veprave penale që i ngarkoheshin dhe pas seancës prokuroria i propozoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd që të urdhërojë caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin për shkak të rrezikut të arratisjes.
Më 4 tetor, gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd refuzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike për të caktuar masën e paraburgimit, por atij iu caktu masa e ndalimit, e cila i ndalonte të largohej nga territori i Serbisë pa lejen e gjykatës dhe të shkojë në territorin e Kosovës. Po ashtu ai është urdhëruar të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.
Po ashtu, të pandehurit Radojiçiq i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Serbisë dhe i pandehuri është paralajmëruar se mund të ndalohet nëse i shkel ndalesat dhe obligimet.
Kujtojmë që Radojiçiq ka marrë përgjegjësinë e plotë për ngjarjet në fshatin Banjskë në Zveçan teksa ka mohuar bashkëpunimin me shtetin e Serbisë.
Lajme
Prokuroria në Serbi për Radojiçiqin: Po mblidhen provat, hetimet po vazhdojnë
1:56 / 12 November 2023